Prokuroria Themelore e Prizrenit ka njoftuar se është arrestuar një i dyshuar lidhur me shpërthimin në Tregun e Kafshëve në Prizren, ku si pasojë mbetën të lënduar dhjetë persona. Dy të tjerë janë ende në kërkim, raporton Express.
Përmes një njoftimi drejtuar mediave, Prokuroria ka thënë se bashkë me Policinë janë duke punuar intensivisht për kapjen e tyre.
Nga dhjetë të lënduar, pesë janë liruar për në shtëpi, derisa pesë të tjerë janë dërguar në QKUK.
“Prokuroria Themelore në Prizren, ju njofton se sot rreth orës 04:50 të mëngjesit ka ndodhur një shpërthim në Tregun e Kafshëve në Prizren. Nga ky shpërthim dhjetë persona kanë pësuar lëndime trupore, pesë prej tyre janë dërguar nê QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor, ndërsa pesë persona tjerë janë liruar në shtëpi pas trajtimit në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar dhe njësitë relevante policore për të hetuar rastin. Lidhur me rastin, tre persona të dyshuar janë identifikuar, njëri prej tyre është arrestuar dhe gjendet nën masën e ndalimit, ndërsa dy të dyshuarit tjerë janë në kërkim. Prokuroria dhe policia janë duke punuar intensivisht për kapjen e tyre”, thuhet në njoftim.