Kastrati alarmon: Rreth 2000 persona të trajnuar nga Serbia gjenden në veri, presin detyra nga Beogradi

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati ka alarmuar duke thënë se në veri të Kosovës gjendet një brigadë e trajnuar nga Serbia.

Ai ka thënë se kjo brigadë përbëhet nga 1800 persona deri në 2000 sosh, transmeton lajmi.net.

Sipas Kastratit 620 prej tyre janë të trajnuar brenda Serbisë. Tregon se të gjithë janë serbë të veriut të Kosovës.

“Një grup prej 50 vetave krye me Milan Radojçiq donin ta inskenonin një konflikt në atë pjesë të Republikës së Kosovës me qëllim për ta mobilizuar dhe për ta ngritur në gjendje luftë brigadën veriore qe ata e kanë formuar që një kohë të gjatë ku sipas informacioneve që unë i kam ka 1.800 deri në 2000 veta. Brigada me njerëz që jetojnë në veri të Kosovës dhe 620 prej që janë trajnuar në kazermat e Rashkës dhe Kralevës”, ka thënë ai në T7.

“E kanë strukturën komanduese, shtrirjen, i kanë detyrat dhe misionet  e caktuara dhe në momente të caktuara çfarë duhet të bëjnë”, ka deklaruar Kastrati.