Shea: NATO të angazhohet më shumë për sigurinë në Kosovë, palët të rikthehen në dialog

Ish-zëdhënësi i NATO-së gjatë kohës së luftës së fundit në Kosovë, Jamie Shea, ka bërë thirrje që trupat e NATO-së të rrisin angazhimin e tyre në Kosovë, për shkak të tensioneve të larta me Serbinë.

Shea ka thënë se situata në Ballkanin Perëndimor është e ndjeshme dhe sipas tij, grumbullimi i ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën, nuk i ndihmon situatës.

Ai ka kërkuar që palët të rikthehen në tryezën e dialogut.

“Nuk ka dyshim se situata në Ballkanin Perëndimor është ndjeshme, prandaj vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ka rëndësi të veçantë. Që nga pranvera situata ka qenë shumë tensionuar në Kosovë. Së pari ishte çështja e targave, zgjedhjet në veri, dhe së fundmi kulmoi me aksionin paramilitar në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës. Prezenca e Stoltenberg në Ballkan tregon se NATO-ja i ka sytë tek rajoni për të ofruar siguri dhe paqe”, ka thënë Shea.

Tutje Shea, vlerëson se NATO duhet të merr më shumë masa për sigurinë e Kosovës dhe të vendos trupat e tij përgjatë vijës kufitare në veri.

“Në asnjë formë Kosova nuk paraqet rrezik për Serbinë dhe është absurde të mendohet ndryshe. Nëse është e sigurt ajo qe tha kryeministri Kurti se Beogradi ka dislokuar sistemet kundër-ajrore në afërsi të kufirit me Kosovën atëherë kjo është diçka serioze. Ato sisteme kundër-ajrore do ta paraqisnin më shumë rrezik për helikopterët e KFORI-t sepse Kosova nuk ka mjete të tilla në dispozicion. Me të vërtetë po shpresoj se Serbia nuk ka ndërmarrë aso veprime. Duke i pasur parasysh të gjitha këto rrethana, konsideroj se është e domosdoshme të shtohet numri i ushtarëve të KFORI-t në Kosovë dhe ata të pozicionohen përgjatë kufirit në veri. Në atë pjesë të vendit duhet të evitohet në çdo mënyrë transportimi i armëve dhe i mjeteve të tjera të rrezikshme”, u shpreh Shea.

Ish-zëdhënësi i NATO-s ka thënë se se ndikimi i Rusisë në Ballkan ka rënë, megjithatë sipas tij akoma Moska synon që të krijoj trazira.

“Rusia synon gjithmonë të krijojë probleme për Perëndimin dhe është në kërkim të mundësive për ta bërë këtë gjë. Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg ka paralajmëruar për rrezikun dhe ndikimin e Rusisë në Republikën Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë. Gjithashtu Rusia i nxit dhe i përkrah gjithandej forcat populiste në Ballkan për të krijuar ndarje. Megjithatë ne ditët e sotme fuqia e Rusisë ka rënë dukshëm dhe nuk mund të krahasohet me fuqinë e Perëndimit”, deklaroi Shea për tëvë1.

Vetëm dy ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se po ngjan një riorganizim paramilitar e terrorist nga Millan Radoiçiq dhe se Serbia ka dislokuar sistemet kundër-ajrore në afërsi të kufirit me Kosovën.