Ambasadori gjerman për deklaratën e Stoltenbergut: Mandati i NATO-s s’ka ndryshuar

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e ka komentuar deklaratën e sekretarit Jens Stoltenberg për mundësinë e shtimit të përhershëm të pranisë ushtarake në Kosovë. Rohde e ka parë këtë deklaratë si qëndrim të fortë të NATO-s ndaj sulmit terrorist në Banjskë.

Ai tha se mandati i NATO-s nuk ka ndryshuar, prandaj është e rëndësishme që të ketë siguri në veri të vendit.

“NATO-ja është këtu për të përkrahur stabilitetin në Kosovë dhe asgjë s’ka ndryshuar. Ajo që shoh është se NATO-ja po reagon ndaj sulmit terrorist në Banjskë duke ofruar siguri, sidomos në veri. Është e rëndësishme që të ketë siguri në veri. Qëndrimi i NATO-s është edhe më i fortë, por s’do të thotë se ka ndryshim ligjor. NATO-ja ka mandat të qartë dhe ky mandat s’ka ndryshuar”, ka shtuar ai.

Ndryshe, sekretari Stoltenberg, dje ka qëndruar në Kosovë, ku pas takimit me presidenten Vjosa Osmani tha se aleanca po shqyrton nëse është i nevojshëm shtimi i përhershëm i pranisë ushtarake në Ballkan.

“Tani ne po shqyrtojmë nëse duhet të kemi shtim të përhershëm për t’u siguruar që kjo të mos dalë jashtë kontrollit dhe të krijojë ndonjë dhunë në Kosovë, apo në rajonin e gjerë. Ne do të bëjmë atë që është e nevojshme. Aktualisht, ne jemi duke shqyrtuar rregullimet rreth pranisë sonë”, tha Stoltenberg.

Gjatë vizitës në Prishtinë, e cila është në kuadër të një turi ballkanik, Stoltenberg tha se shtimi i pranisë ushtarake në Kosovë me 1.000 trupa – që përbën vendosjen më të madhe në vitet e fundit të aleancës – tregon se sa seriozisht e merr aleanca dhunën që shpërtheu muajve të fundit në Kosovë.

“Ne vërtetë po investojmë në sigurinë e këtij rajoni, sepse siguria e njerëzve në këtë rajon, stabiliteti në këtë rajon, ka rëndësi për sigurinë tonë”, tha ai.

Shefi i NATO-s tha se aleanca është duke kryer një shqyrtim të pranisë ushtarake “që përfshin Bosnje e Hercegovinën dhe po ashtu Kosovën”.