Ambasadori amerikan pas takimit me Rakiq: Reciprociteti në pajtim me marrëveshjet e Brukselit

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka takuar ministrin për Kthim dhe Komunitete, njëherit kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq.

Hovenier, pas takimit, ka thënë se ia ka bërë te ditur kryetarit të Listës Serbe, qëndrimin e ShBA-së për vendimet qeveritare për fletë-deklarimet në hyrje për personat me dokumente të Serbisë si dhe për konvertimin e targave.

Sipas tij, vendimet janë në përputhje me marrëveshjen e Brukselit.

“Ne folëm për rëndësinë e deeskalimit të disa prej këtyre çështjeve. I kujtova disa nga qëndrimet e SHBA-së për disa nga këto çështje që përfshijnë masat e reciprocitetit që Qeveria e Kosovës ka dashur të vendosë. Nga këndvështrimi ynë janë në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe janë legjitime për t’u zbatuar. Ne gjithashtu folëm për rëndësinë që të sigurohemi që shqetësimet e komunitetit serb të Kosovës të përfshihen në këto bisedime dhe të jenë një element se si do të vazhdojnë gjërat”, ka deklaruar Hovenier para mediave.

https://permbledhja.com/eksperti-gjerman-siguria-e-jashtme-e-kosoves-garantohet-vetem-duke-u-anetaresuar-ne-nato/

Pas takimit në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete, ambasadori Hovenier ka përmendur edhe qëndrimin për Milan Radoiçiq, i sanksionuar nga autoritetet amerikane, dhe rëndësinë e vazhdimit të dialogut.

“Ne ramë dakord për rëndësinë e takimit mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti në Bruksel që do të mbahet në fund të këtij muaji dhe ata duhet të shohin si të arrijnë t’i deskalojnë disa nga këto çështje. Duhet të jem i qartë, Shtetet e Bashkuara nuk po kërkojnë që vetë masat të rishikohen, siç thashë të dielën mbrëma. Unë gjithashtu shfrytëzova rastin për t’i kujtuar atij një çështje të veçantë, në kontekstin e deklaratave të fundit. Më duhet t’u kujtoj njerëzve se, nga këndvështrimi i Shteteve të Bashkuara, z. Milan Radoiçiq, është sanksionuar nga Thesari i Shteteve të Bashkuara në bazë të informacionit tonë për lidhjet e tij me krimin e organizuar transnacional dhe korrupsionin, dhe i tregova atij që, ju e dini, pikëpamja e Shteteve të Bashkuara për këtë individ është tashmë e njohur”, ka shtuar ai.

Kjo vizitë vjen pas zhvillimeve në veri gjatë së dielës, ku serbë lokalë kishin vendosur barrikada në pikat kufitare në Jarinkë e Bërnjak. Ndërkohë që në këto barrikadime ishte parë edhe ministri Rakiq e i shumëkërkuari nga drejtësia Radoiçiq.

Vetëm një natë më parë, Lista Serbe e Rakiq pranoi publikisht se janë duke u angazhuar për të rrezuar Qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti.