Serbia e ka rrethuar Kosovën me 48 baza ushtarake në kufi, ndërsa nga institucionet e sigurisë në Kosovë merret si kërcënim pasi ata vlerësojnë se forcat serbe janë duke pritur një moment të volitshëm për invadim të Kosovës.
Shqetësimet e zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe të Bashkimit Evropian (BE) se incidentet e dhunshme në Kosovë mund të shndërrohen në “konfrontim rajonal”, duhet pranuar me kujdes.
Këto shqetësime po forcohen edhe më shumë nga preokupimet e kryeministrit, Albin Kurti dhe ministrit të Mbrojtes, Ejup Maqedonci.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar me anë të një postimi duke thënë se në Rashkë të Serbisë, po shihet një riorganizim i grupit paramilitar dhe terrorist i Millan Radoiçiqit, me mbështetje dhe udhëheqje të shtetit serb. Sipas Kurtit, më 10 nëntor, Radoiçiq udhëhoqi një takim me rreth 40 politikanë serbë dhe zyrtarë të komunave ilegale nga Kosova.
Ndërsa së fundi, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka deklaruar se Serbia e ka rrethuar Kosovën me 48 baza ushtarake në kufi dhe se “po presin një moment të volitshëm për mësymje” në Kosovë.
Ekspertët dhe njohësit e çështjeve të sigurisë mendojnë se Kosova është shumë e ekspozuar para një rreziku real, të një aktiviteti të dhunshëm siç e kemi parë më datë 24 shtator të këtij viti.
Ish-inspektori i AKI-së, Burim Ramadani, ka bërë të ditur se Serbia vazhdimisht ka nxitur destabilitet në rajon dhe se ajo është duke u armatosur nga Rusia, Kina dhe Irani.
“Planet e Serbisë janë ogurzeza. Ajo nuk ka pushuar aktivitetet e saj për të nxitur destabilitet rajonal, kërcënuar Kosovën dhe sfiduar seriozisht NATO-n. Ani pse investimi i NATO-s në Ballkan është i madh, Serbia mbetet masha kryesore e Rusisë. Ajo po armatoset vazhdimisht nga Rusia, Kina dhe Irani. Kështu po dëshmon që është destabilzuesi i Ballkanit”, ka thënë Ramadani.
Sipas tij rrethanat aktuale dhe ato të ardhshme do të dëshmojnë se planet e Serbisë janë përpos të këqija, janë edhe të pamatura mirë dhe do të dështojnë edhe për nga aspekti i sigurisë, edhe nga ai diplomatik.
Tutje ai ka theksuar se “NATO sa më shpejtë të ftojë Kosovën për anëtare të saj aq më mirë për stabilitetin rajonal, NATO sa më shpejtë të përjashtojë Serbinë nga Partneriteti Për Paqe aq më i qartë mesazhi për Millosheviqët e vegjël në pushtet”.
Ndërkohë, rreth kësaj çështjeje, Dukagjini ka kontaktuar edhe me gjeneralin në pension të çështjeve ushtarake dhe sigurisë, Ramadan Qehaja i cili tha se rreziku ekziston dhe asesi nuk mund të neglizhohet diçka e tillë.
“Rrezikshmëri për ndërhyrje në Kosovë nga forcat serbe ka dhe asesi nuk mund të mohohet diçka e tillë”, ka thënë Qehaja.
Fillimisht ai nuk beson që ushtria serbe do ta sulmojë drejtpërdrejtë Kosovën me një invadim klasik, por mund të mbështesë grupe të caktuar që të krijojnë rrethana e mandej të futet ushtria serbe.
Tutje ai ka theksuar se “forcat ushtarake dhe policore serbe po përgatiten dita ditës që në momentin e caktuar të jenë të gatshëm për të kryer detyrat që kanë të bëjn me aneksimin e një pjese të territorit të Kosovës”.
“Këta njerëz si Milan Radojçiqit dhe të tjerët nuk mund të inkorperohen në këto veprime të mëtejshme, por këtë po e shoh më shumë si një lloj taktike të veprimit apo një manovër politik i cili ka për qëllim të fut një panik dhe ai nuk mund të veprojë më sepse ai është demaskuar dhe qëllimet e tij janë parë tanimë”, vijon ai.
Ai ka përfunduar duke thënë se reagimi i ndërkombëtarëve kundër Serbisë nuk do të jetë i ashpër siç shpresojmë ne.
Ndryshe, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, këtë javë kishte deklaruar se Rusia mund të tentojë të nxisë konflikte në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Presidenti ukrainas kishte thënë se nëse partnerët e tyre nuk bëjnë asgjë tani, atëherë do të ketë një “shpërthim” tjetër në Ballkanin Perëndimor.