Parashikimi i motit për javën e ardhshme

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka dalë me parashikimin e motit për javën e ardhshme, e cila paraqitet pothuaj me të njëjtin skenar sa i përket lëvizjes së elementeve dhe dukurive meteorologjike. Diell, shi dhe borë në viset e larta malore, ndërsa sa i përket grafikut termik, do të jetë pothuaj i ngjashëm me javën që po e lëmë.

Të hënën do të mbajë mot me diell dhe vranësira mesatare. Në orët e para në shumë territore parashihet të ketë mjegull të radiacionit. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -2 deri 1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet ndërmjet 10-15 gradë Celsius.

Ditën e martë do të mbretërojë mot kryesisht i vranët dhe me reshje shiu. Në viset e larta malore me lartësi mbidetare mbi 1000 metra do të ketë kushte për reshje bore. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0-2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës ndërmjet 5-9 gradë Celsius.

Të mërkurën do të mbajë mot kryesisht i vranët. Vranësirat parashihen të sjellin reshje shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 1-4 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës ndërmjet 4-7 gradë Celsius.

Ditën e enjte do të mbajë mot i vranët dhe vende-vende me intervale të shkurta me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 1-3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës ndërmjet 4-6 gradë Celsius.

Të premten do të jetë mot i vranët dhe me intervale me diell. Në mëngjes parashihet që në shumë territore të ketë mjegull. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -1 deri 1gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës ndërmjet 5-8 gradë Celsius.

Gjatë kësaj periudhe të parashikimit do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes, veriperëndimit dhe jugperëndimit e lehtë dhe lokalisht e fortë.

Java që po e lëmë ishte e begatshme sa i përket reshjeve. Sasitë më të larta të reshjeve si zakonisht ishin në Junik 81 milimetra, ndërsa më të ulëta në Gjakovë 15 mm.

Rrafshi i Kosovës regjistroi 33 milimetra në lindje, deri 63 mm në jug-juglindje, ndërsa sa i përket sasisë totale të reshjeve nga 1 nëntori deri më tani janë regjistruar rreth 100 mm pothuajse në gjithë territorin, duke përjashtuar Pejën me 55 mm dhe Gjakovën me 56 mm.