Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha, se drafti i statutit të Asociacionit, i propozuar nga diplomatët euro-amerikanë dhe i pranuar nga kryeministri, Albin Kurti është shqetësues për vendin. Sipas tij, përmes Asociacionit do të krijohet një nivel i tretë i pushtetit në vend, ku komuniteti serb në Kosovë, do të kenë një nivel të madh të vetëmenaxhimit.
Tahiri thotë hotë për KosovaPress se nga drafti që kanë parë dhe që është më i përafërt me draftin origjinal ka shqetësime serioze, pasi flitet për një shtrirje territoriale të komunitetit serb në Kosovë, për vetëmenaxhim të serbëve që formën e ka të Asociacionit, por përmbajtjen komplet tjetër.
“Ajo çka kemi parë tani nga drafti që duket të tjetër më i përafërt me draftin origjinal të Asociacionit që tashmë e kanë institucionet e Kosovës, e ka presidentja, kryeministri por jo deputetët dhe nuk kanë dijeni qytetarët. Për atë draft që po qarkullon ka mjaft shqetësime sepse po flasim për një shtrirje territoriale dhe një vetë menaxhim të komunitetit serb, po flasim për një organizim të tyre që formën e ka të Asociacionit, por përmbajtja është komplet tjetër. Gjithkund në botë merre e sheh një asociacion e sheh, pasi e drejta e asocimit garantohet edhe me Kushtetutën e Kosovës, mirëpo ato janë çështje që nuk janë thelbësore për qeverisjen e një komune që i trajton asociacioni. Çështjet që i trajton Asociacioni janë më periferike dhe që mund t’i bashkojnë komunat në çështje të ndryshme, qoftë turizëm, sport, kulturor apo të tjera, por jo në vendimmarrje, jo në shëndetësi, arsim, zhvillim ekonomik dhe çështje të planifikimit urban dhe rural. Këto janë kompetenca janë të institucioneve lokale dhe qendrore. Të bartën kompetenca të tilla në një institucion është mjaft serioze pasi po krijohet një nivel i tretë i pushtetit, pasi po merr kompetenca nga niveli lokal dhe në anën tjetër ka komunikim direkt me Qeverinë e Kosovës”, thotë ai.
Tahiri duke kritikuar Kurtin për qasjen e tij në dialog, thotë se ai është kryeministri i parë që sjell një draft-statut për themelimin e Asociacionit, transmeton Klankosova.tv.
“Ky është kryeministri që më së paku ka folur në Kuvendin e Kosovës për dialogun dhe është kryeministri i parë që ka sjell draft-statut për themelimin e Asociacionit. Ne nuk kemi pasur draft-statut në tavolinë nga asnjë kryeministër dhe kjo është hera e parë që ndodh që kryeministri jonë pajtohet për një draft dhe mbi të cilin ka disa vërejtje. Megjithatë drafti është i pranueshëm për kryeministrin”, shton ai.
Diplomatët euro-amerikanë më 21 tetor në Prishtinë, kanë propozuar një draft-statut për themelimin e Asociacionit, i cili deri më tani nuk është bërë publik nga zyrtarët qeveritar. Megjithatë, një draft e ka publikuar ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, i cili ka thënë se ai është origjinali që është propozuar nga euro-amerikanët.