Pos rritjes së shtesës për rrezikshmërinë, në listën e kërkesave të njësisë speciale intervenuese ishte diçka që nuk u përmend fort.
Kërkesë e parë e pjesëtarëve të kësaj njësie elitare të Policisë ishte kategorizimi si njësi e veçantë dhe përfshirja në listën e ekspertëve.
Sipas njohësit të sigurisë, Valdet Hoxha kjo kërkesë ka të bëjë me gradimin e tyre financiar.
“E gjitha kjo ka të bëjë me pagesën në mënyrë specifike për ekspertizën të cilën ata e kryejnë, pra funksionet operacionale të cilat njësitë tjera nuk mund t’i kryejnë pra kryesisht ka të bëjë me anën materiale, mirëqenien e tyre pra pagesën në cilësi të kategorive të veçanta, çfarë do të duhej edhe të jenë”, ka thënë eksperti i sigurisë, Valdet Hoxha.
Njëjtë nuk mendon, Hajrullah Ternava, ish-zëvendësministri i punëve të brendshme. Sipas tij, kjo do të nxiste pakënaqësi mes njësive policore.
“Mendoj që një dallim i tillë sikur që po kërkojnë me i dallu si ekspert e ka një rrezik tjetër sepse mundet me përça Policinë e Kosovës”, ka deklaruar Hajrullah Ternava.
Ditë më parë, drejtori i Policisë së Kosovës tha që do të bëjnë të pamundurën që zyrtarët e njësive elite të Policisë së vendit të dalin të kënaqur pas kërkesave të tyre.