Shqipëria në evropianin e dytë brenda tetë vitesh

Kombëtarja e Shqipërisë ka siguruar biletën e kualifikimit për në Kampionatin Evropian që do të mbahet në Gjermani vitin e ardhshëm, pas barazimit 1-1 ndaj Moldavisë në udhëtim.

Shqipëria ishte pothuajse gjatë tërë kohës më e mirë se kundërshtari duke pasur posedimin dhe rastet në anën e saj.

Fillimi i ndeshjes ishte i zbehtë pa raste të mira shënimi, teksa të dy ekipet po prisnin ndonjë gabim eventual të njëra tjetrës për të rrezikuar.

Vendasit mundësinë më të mirë për gol e patën në minutën e 16-të, por goditja e Nicolaescut u ndal me sukses nga Etrit Berisha.

Kuqezinjtë kaluan në avantazh në minutën e 25-të, me Sokol Cikalleshin që realizoi për 1-0 pasi u tregua i saktë nga penalltia të cilën e fitoi Taulant Seferi.

Me epërsinë minimale të Shqipërisë përfunduan 45 minutat e parë të përballjes.

Në pjesën e dytë vendasit morën kontrollin e ndeshjes por pa arritur të shënojnë pasi hasën në rezistencë të fortë nga mbrojtja e Shqipërisë.

Nicolaescu pati mundësinë e artë për të barazuar shifrat në minutën e 55-të, por Berisha nuk lejoi që të mposhtej.

Shqipëria në anën tjetër rrezikoi seriozisht në minutën e 73-të por goditja e Taulant Seferit u ndal nga shtylla.

Moldavia arriti të barazojë shifrat në minutën e 87-të pas një tollovie brenda zonës ku autor i golit ishte mbrojtësi Vladislav Baboglo.

Deri në fund nuk kishte më raste të mira shënimi dhe Shqipëria siguroi kualifikimin për herë të dytë në historinë e saj në Evropian pasi paraprakisht kishin qenë pjesëmarrës në vitin 2016./Telegrafi