Rahoveci është një nga qytetet e vetme pa stadium të mirëfilltë për t’i zhvilluar ndeshjet.
Megjithatë, duket se edhe ky problem do të zgjidhet, ani pse nuk mund të precizohet saktë koha e mbarimit, përcjell 07 Press.
Ka qenë deputeti nga po kjo komunë, Visar Korenica, që mbrëmë përmes një postimi kumtoi lajmin e ndarjes së 5 milionë eurove për çështjen e stadiumit për njërin prej klubeve më të vjetra në vend.
Momentalisht, ai aktuali, “Jahja Danuza” lë për të dëshiruar, pasi infrastruktura nuk është as për së afërmi ajo që kërkohet, në veçanti për të punuar me gjeneratat e reja.
07 Press nga kampi bardhekaltër ka mësuar se tek ta ekziston një gatishmëri e shquar për të bashkëpunuar me autoritetet komunale dhe jo vetëm, ndërsa nga këta të fundit redaksia jonë ka mësuar se ky “problem” pritet të definohet me planin zhvillimor komunal që do të vie javën e ardhshme.
Deri më tani, kanë qarkulluar disa hipoteza rreth asaj se ku do të jetë ky stadium, duke u përmendur pjesa e Qëndresës, përkatësisht rruga që shpie për te Maja e Shkodranit, një pjesë në Drenoc (nuk është e konfirmuar nëse është valide apo jo) si dhe opsioni te Stone Castle, gjithmonë në bashkëpunim me gjigantin e prodhimit të rrushit.
Por, këto mbesin vetëm hipoteza që kanë qarkulluar në qytet nga figura të ndryshme, andaj nuk duhet të merren si të mirëqena.
E rëndësishme është që Rahoveci do të bëhet me stadium, për ç’gjë shpresojmë të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur./07 Press