Behgjet Pacollit i keqpërdoret emri e fondacioni, mashtruesit premtojnë 10 mijë euro për një përshëndetje

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar ndaj publikimeve në emrin e fondacionit të tij nëpër rrjete sociale.

Ai ka thënë se postimet e tilla janë mashtrime.

Një faqe e hapur me emrin “Fondacioni Behgjet Pacolli” në Facebook, ka shpërndarë një video duke shkruar “Ju bekoj të gjithëve. 250 personat që thonë (përshëndetje) do t’u jap 10 mijë euro, dhe jam i vërtetë. Që tani e tutje)”.

Por Pacolli ka reaguar duke thënë se postimi nuk është bërë nga ai, por nga mashtrues dhe ka për qëllim vetëm mashtrimin e qytetarëve.

Ai ka kërkuar nga njësia e krimeve kibernetike të ndjekin individët që po mashtrojnë dhe manipulojnë qytetarët.

“Ka një kohë që nëpër rrjetet sociale qarkullojnë video të rreme dhe montazhe, të cilat synojnë mashtrimin e qytetarëve. Dua të theksoj se nuk ka asgjë të vërtetë, dhe bëj thirrje që të shmangen këto manipulime nga individë me qëllime të këqija që synojnë mashtrimin. Në të njëjtën kohë, bëj thirrje që njësia e krimeve kibernetike të ndjekë individët që po mashtrojnë dhe manipulojnë qytetarët”, thotë ai.

Pacolli ka shkruar po ashtu se janë dhjetëra faqe në rrjetet sociale që përdorin profile të rreme në emrin e tij “për qëllime mashtrimi ndaj qytetarëve”.

“Ju lus dhe këshilloj që t’i shmangeni atyre dhe t’i raportoni”.

“Përsëris, kjo është një përpjekje manipulimi dhe asgjë nga ajo që po shpërndahet nuk është e vërtetë”, deklaroi ish-presidenti Behgjet Pacolli. /Klankosova.tv

behgjet pacolli fondacioni