Dialogu me Serbinë, ambasadori i Suedisë: Marrëveshja jo domosdoshmërisht duhet nënshkruar

Ambasadori i Suedisë në Prishtinë, Jonas Westerlund, ka folur për marrëveshjet e arritura gjatë procesit të dialogut Kosovë – Serbi.

Westerlund ka komentuar kërkesën e kryeministrit të vendit, Albin Kurti, për nënshkrimin e marrëveshjes, duke thënë se as marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 nuk janë nënshkruar.

“Nëse e do njohjen de facto, është gjithashtu e vështirë të kërkoni një nënshkrim zyrtar. Ky është ngërçi”, tha Westerlund.

Sipas tij, fokusi tashmë duhet të jetë në implementimin e marrëveshjeve të arritura, me theks të veçantë, themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Çka duhet të bëjmë tani është që të fokusohemi në implementimin e saj  dhe mbi të gjitha e kemi nevojën e implementimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, kemi një propozim për këtë”, tha Ambasadori Westerlund.

Ai tutje ka thënë se aq sa e ka kuptuar ai, drati aktual i Asociacionit është në harmoni me Kushtetutën.

“Gjykata Kushtetuese do të marrë vendim por ashtu siç e kam kuptuar unë, përputhet me kushtetutën e Kosovës dhe nuk ka kompetenca ekzekutive kështu që duhet të ecim para me themelimin e Asociacionit. Në anën tjetër,  sigurisht që na duhet edhe njohja de – facto nga Serbia”, ka thënë tutje Ëesterlund në Kanal10.