Ministria e Liburn Aliut e rehaton me pozitë të re “babën e tenderëve”, i sanksionuar nga ShBA-ja

Nexhat Krasniqi, i njohur edhe si “baba i tenderëve”, i cili dy javë më parë u pezullua nga pozita e Drejtorit të Divizionit të Prokurimit, pas sanksionimit nga ShBA-ja “për shkak të përfshirjes në korrupsion të madh”, tani ka “gjetur rehati” sërish në Ministrinë e drejtuar nga Liburn Aliu, shkruan Reporteri.net.

Sipas një vendimi të publikuar nga gazetari Mentor Buzhala, thuhet se Nexhat Krasniqi është emëruar përkohësisht Drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore, në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Sipas dokumentit vendimi ka hyrë në fuqi ditën e djeshme (e mërkurë, 15 nëntor).

Të premtën e 3 nëntorit, Nexhat Krasniqi u sanksionua nga Departamenti Amerikan i Shtetit. DASh në vendimin e saj e ka caktuar si “të papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të madh”.

“Shtetet e Bashkuara e sanksionojnë Nexhat Krasniqin, ish-drejtorin e Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, si përgjithësisht të papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të madh. Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka keqpërdorur pozitën e tij publike duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania operuese Eltoni”, thuhej në vendimin e DASh-it.

Por kush është “Baba i tenderëve”?

Nexhat Krasniqi i cili i mbijetoi çdo pushteti në Kosovë, vite më parë ishte dënuar për keqpërdorim të detyrës brenda Ministrisë, por më vonë me vendim të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil (KPMSHCK), ishte kthyer në detyrë.

Ai ishte i përfshirë edhe në një rrahje në MMPHI në vitin 2022.

Ndonëse, nga secila parti opozitare ishte përmendur si “njeri i korrupsionit”, kur vinin në pushtet secila e përdorte Krasniqin.

Edhe partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, sa ishte në opozitë e quante si “kupola e krimit”, por kur erdhën në pushtet, e “lustruan” figurën e tij dhe punojnë me të.

Ministrja aktuale e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, vite më parë në cilësinë e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, kishte shtruar në Kuvend pyetje lidhur me rastin e Nexhat Krasniqit, i cili ndonëse i dënuar me burgim efektiv, ka vazhduar punën e tij si drejtor i prokurimit publik në Ministrinë e Infrastrukturës.

Ajo gjatë seancës në Kuvendin e Kosovës, kishte pyetur ministrin e atëhershëm, Pal Lekaj, se pse ka lejuar rikthimin në pozitën e drejtorit të prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës personin i cili është dënuar me vendim nga Gjykata Themelore, është vërtetuar nga Gjykata e Apelit, Supreme e madje edhe nga Gjykata Kushtetuese, shkruan Reporteri.net.

Nexhat Krasniqi, i njohur si ‘Baba i tenderëve’, shef i prokurorimit në Ministrinë e Infrastrukturës, i dënuar për korrupsion, me vendim të plotfuqishëm nga gjykata, jo rrallë herë është përmendur në media për afera të ndryshme brenda Ministrisë së Infrastrukturës.

Vitin e kaluar, Krasniqi ishte rrahur nga disa persona të maskuar gjatë daljes nga një lokal në Brezovicë. Detaje për gjithë këtë ngjarje, i kishte dhënë kryeprokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Shukri Jashari.

“Hetimet janë duke u bërë. Personat janë të paidentifikuar për momentin. Po shpresojmë që ditëve në vijim do t’i identifikojmë…..Rasti ka ndodhur të premten para mëngjesit derisa kishte shkuar në Brezovicë për t’a kaluar vikendin. Kur ka dalë prej lokalit e kanë goditë nga prapa të maskuar dy persona. Dhe kanë ikë nga vendi i ngjarjes. Hetuesit e Shtërpcës nesër do të dalin sërish në vendin e ngjarjes. Ai është goditur në kokë me mjet të prehtë”, thotë Jashari.

Gazeta Online Reporteri.net në vazhdimësi ka raportuar për përfshirjen e Krasniqit në dhënien e tenderëve dhe dyshimet për manipulimet.