Ndërkohë i pari i qeverisë, Albin Kurti, ka bërë me dije se i kanë dërguar vërejtjet e tyre mbi përmbajtjen e draftit në Bruksel, por po ashtu ka thënë se drafti i modernizuar për Asociacionin është më i avancuar se marrëveshja e vitit 2013.

Derisa në Prishtinë po vazhdojnë reagimet për mungesë transparence në këtë proces, profesori  universitar Mazllum Baraliu, vlerëson se mospublikimi i draft-statutit, tregon qartë se përmbajtja e tij është e diskutueshme.

“Kjo që shihet që qarkullon sidomos drafti i fundit duket të jetë diçka autentike nga ata që e kanë përgatitur dhe ka përmbajtje e cila nuk është ashtu siç e kanë proklamuar, as nga ndërmjetësitë dhe as nga përfaqësuesit tanë fatkeqësisht por ka një përmbajtje në këtë status që është një lloj ligji i veçantë është një lloj kushtetutë materiale një surrogat juridik paralel me shtetin e Kosovës dhe përpiqet në forma shumëkuptimëshe për të krijuar një substrakt juridik kushtetues paralel me shtetin e Kosovës”, tha Baraliu, për RTK.

Analisti, Artan Muhaxhiri thotë se e nesërmja nuk do të qartësojë thuajse asgjë në raport me marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe se mospublikimi i draftit është i pakuptimtë.

“Është krejtësisht e pakuptueshme, pse nuk bëhet publik, nga ana e qeverisë dhe nga ana e ndërkombëtare, sepse publikimi i draftit, do të mundësonte një debat konstruktiv, ndoshta do të ishte shumë mirë për qeverinë e vendit, që të identifikonte edhe ndonjë mundësi për të modifikuar, dhe në vend të kësaj kemi drafte të cilat nuk hidhen poshtë nga qeveria, do të ishte një ndihmë shumë e madhe, që ekspertiza publike të shkonte në favor të qeverisë”, tha Muhaxhiri .

Përmbajtja e draftit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, nuk është bërë publike zyrtarisht me arsyetimin e konfidencialitetit të tij, si kërkesë e ndërkombëtarëve.

E ndër shumë drafte që kanë dalë në publik këto ditë, vetëm për dokumentin e prezantuar së fundmi nga ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, qeveria nuk ka as mohim e as pohim për vërtetësinë e tij.