“Kam dëgjuar nga dy persona të cilëve ju besoj shumë se Serbia po përgatitet për luftë”. Kështu shkruan në një artikull të publikuar më 8 nëntor, George Friedman, një autor me origjinë hungareze që shkruan për çështje ndërkombëtare e gjeopolitikën.
Në tekstin me titullin “Bota flakëron”, Friedman shkruan për “luftërat e mundshme”.
“Kam dëgjuar nga dy persona të cilëve u besoj shumë se Serbia po përgatitet për luftë. Serbia dhe Kosova zhvilluan një luftë të përgjakshme në vitet 1998-99, në të cilën SHBA dhe NATO u rreshtuan në anën e Kosovës dhe zhvilluan një fushatë bombardimi kundër Serbisë. Shpresoj që këto burime të jenë të gabuara, por mendoj se kjo do të ndodhë dhe do të përhapet përtej Ballkanit”, shkruan ai që në paragrafin e dytë, vetëm pasi përmend luftërat në Ukrainë dhe në Gaza.
Ai vazhdon duke shkruar për tensionet e tjera nëpër botë, duke përmbledhur shumë çështje në pak fjali.
“Ndërsa shikojmë këtë listë të luftërave dhe luftërave të mundshme, SHBA-ja është thellësisht e përfshirë në shumë mënyra”, shkruan ai. “Tani, duhet të shqetësohemi nëse miqtë e mi të besuar e kanë idenë se për çfarë po flasin”, shkruan Friedman në paragrafin e fundit.
Mbrëmë në Pressing analisti Sadri Ramabaja e parafrazoi Friedmanin, i cili jeton dhe vepron në SHBA, atje ku ka studiuar për shkenca politike.
Friedman më 1996 kishte themeluar në Teksas një kompani private për parashikime të kësaj natyre, të quajtur “Stratfor” ku shërbeu si drejtor ekzekutiv. Në vitin 2015 kishte thënë dorëheqje për ta themeluar më pas “Geopolitic Furtures”.
Reputacioni i Friedman-it si parashikues i ngjarjeve gjeopolitike bëri që The New York Times të komentonte në një profil: “Ka një tundim, kur je rreth George Friedmanit, ta trajtosh atë si një 8-top magjik”. Pra, gazeta amerikane e krahasonte atë me lodrën “Magic 8-Ball”.
Friedman ishte larguar nga Hungaria që fëmijë për t’u arratisur nga regjimi komunist dhe për t’u vendosur fillimisht në Austri, e më pas emigroi në Shtetet e Bashkuara.
Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, ai studioi potencialin për një konflikt Japoni-SHBA dhe bashkë me gruan e tij më 1991 botuan librin “The Coming War with Japan” (Lufta e ardhshme me Japoninë), ku shkruante se një konflikt SHBA-Japoni ishte i pashmangshëm”. Parashikimi nuk i doli.