Një ditë para takimit në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës e Serbisë, pala serbe thekson, se në takimin e 16 nëntorit diskutohet drafti i statutit të Asociacionit. Qeveria e Kosovës nuk e konfirmon këtë.
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, takohen të enjten në Bruksel (16.11.), me ftesë të ndërmjetësit evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ky i fundit një ditë më parë ishte në Beograd ku takoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Zyrtarët nga Serbia thanë se në takimin e 16 nëntorit, do të diskutohet drafti i statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndonëse nga qeveria e Kosovës nuk konfirmohet, por as nuk mohohet një gjë e tillë. Emisari Lajçak, pas vizitës në Beograd, shkroi se me presidentin Vuçiq dhe kryenegociatorin Petkoviq, “diskutoi mbi rrugën përpara në dialog”.
“Pas vizitës sime në Kosovë, udhëtova edhe në Beograd për t’u përgatitur për takimin e kryenegociatorëve të kësaj jave. Me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe me Petar Petkoviqin diskutova rrugën përpara në dialog dhe hapat e mëtejshëm të nevojshëm për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit”, shkroi Lajçak.
Vuçiq kërkon Asociacionin dhe shpreh gatishmëri për dialog
Nga zyra e presidentit serb Vuçiq, njoftohet se pas takimit me Lajçak, krahas insistimit për formimin e Asociacionit, është shprehur gatishmëria për respektimin e çështjeve të dakorduara në kuadër të dialogut. “Presidenti Vuçiq vuri në dukje se Serbia është gjithmonë e gatshme për dialog, për respektimin e çdo gjëje të nënshkruar dhe të rënë dakord, dhe ritheksoi se vendi ynë është për de-eskalim, paqe dhe stabilitet, të cilat janë të nevojshme për të siguruar mbijetesën e serbëve në Kosovë. Edhe një herë, presidenti Vuçiq e informoi në detaje përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për peshën e situatës me të cilën ballafaqohen serbët, si në veri ashtu edhe në jug të Ibrit, duke shprehur shpresën se do të arrihen rezultate në procesin e mëtutjeshëm të dialogut”, thuhet në njoftimin e palës serbe. Më tej thuhet se “presidenti Vuçiq ka insistuar për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”.
Raundi i ri i dialogut në nivel kryenegociatorësh në Bruksel, vjen pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq më 26 tetor zhvilluan takime të ndara në Bruksel me liderët e BE-së, Presidentin e Francës, Kancelarin e Gjermanisë dhe kryeministren e Italisë. Scholz, Macron dhe Meloni, i kërkuan Kosovës që ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa, Serbisë të njohë de facto pavarësinë e Kosovës.
Takimi Scholz-Macron-Meloni si pika e kthesës
Pas takimit të 26 tetorit në Bruksel me udhëheqësit kryesor evropianë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se “ishte i gatshëm të nënshkruante projektin për Asociacionin”. Nga ana tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, propozimin për Asociacionin e ka cilësuar si një bazë të mirë për vazhdimin e diskutimeve, por disa herë e ka theksuar qartë se, “nuk do të pranojë asgjë që çon drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës”, pavarësisht kërkesës ndërkombëtare.
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ishte në Kosovë dy javë, më parë ku kishte takime të ngjeshura me përfaqësues të qeverisë, ata të institucioneve ndërkombëtare civile dhe ushtarake, ambasadorë të vendeve perëndimore dhe përfaqësues të partive politike opozitare.
Drafti i statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe që tashmë i është dorëzuar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti akoma nuk është bërë publik dhe disa nga përfaqësuesit e partive opozitare, po kërkojnë më shumë hollësi për përmbajtjen e projekt-statutit. Gjatë raportimit të fundit në Kuvend, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se projekt statuti për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe i prezantuar nga diplomatët evropianë dhe amerikanë, “e ndërpret trashëgiminë mosnjohëse të Republikës së Kosovës”, që ishte çimentuar siç tha “në marrëveshjet e mëhershme të vitit 2013 dhe 2015”.
“Në gjykimin tim politik drafti ka një qartësi sa i përket njohjes së Republikës së Kosovës si një shtet i pavarur në të cilin serbët do të jetojnë në përputhje me aspiratat multietnike të Kushtetutës dhe pa qëllim tjetër dëmtues apo minues për Republikën, në njohje të shtetit sovran dhe të integritetit tonë territorial”, tha kryeministri Kurti, duke hedhur poshtë akuzat e opozitës që ai e ka pranuar “Zajednicën”, siҫ parapëlqente Kurti ta quante kur ishte në opozitë, Marrëveshjen për Asociacionin të vitit 2013./DW