Qeveria e Kosovës nuk ka komentuar nëse dokumenti i publikuar nga ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Burim Ramadani, është i njëjtë me draft statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të propozuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet.
Ata kanë thënë se nuk mund të komentojnë mbi vërtetësinë e teksteve të ndryshme që kanë qarkulluar në publik javëve të fundit, e që janë raportuar si drafte të propozimit të BE-së.
“Javëve dhe ditëve të fundit kanë qarkulluar në publik tekste të ndryshme të cilat janë raportuar si drafte të propozimit evropiano-amerikan. Si ekzekutiv e kemi të pamundur që të komentojmë mbi vërtetësinë e secilit prej tyre. Megjithëse për sa na takon neve, drafti i propozuar nga Gjermania, Franca, Italia, BE dhe ShBA-ja tashmë do të duhej të ishte publik, ne do të respektojmë konfidencialitetin e tij, sipas kërkesës së shteteve sponsorizuese”, kanë thënë për RTV21 nga Qeveria.
Gjatë kësaj jave edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, ka refuzuar ta komentojë draftin e Asociacionit të publikuar nga ish-kryeinspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë Burim Ramadani.
Stano nuk e mohoi origjinalitetin e këtij dokumenti.
“Nuk e di kush është z.Ramadani dhe nuk shoh asnjë arsye për të komentuar ndonjë gjë që ai mund të pretendojë apo publikojë”, tha Stano të hënën.
“Ne kurrë nuk kalojmë dokumente zyrtare që po diskutohen dhe presim të njëjtën gjë nga partnerët, pasi është praktikë normale në ndërmjetësimin ndërkombëtar që procesi të zhvillohet në konfidencialitet,” shtoi ai.
Stano shtoi se është politikë shumëvjeçare e Komisionit të mos komentojë mbi rrjedhjet siç i quan të supozuara.
Ish-inspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Burim Ramadani, ka publikuar draftin e plotë të Bashkimit Evropian për Asociacionin, në versionin origjinal dhe të përkthyer në gjuhën shqipe.
Ramadani ka thënë se ky draft është shumë i gjerë dhe i thellë.
Ai shtoi se “Kosova duhet të fitojë diçka seriozisht të madhe si parakusht për zbatim të këtij dokumenti”.
“Serioz në kompetencat që ia atribuon Asociacionit, por mbi të gjitha shumë serioz në mundësinë që ia jep Serbisë që të funksionojë brenda Kosovës.
Dhe kjo sidomos në arsim dhe shëndetësi, kujdes social, në financim dhe donacione, e të ngjashme”, ka shkruar ai.
Ish-kryeinspektori i AKI-së e publikoi dokumentin në ëeb faqen e tij në anglisht dhe shqip, duke thënë se është i njëjti version që i është dhënë kryeministrit Albin Kurti.
Në fund të tetorit, përfaqësuesit e SHBA-së, BE-së, Gjermanisë, Italisë dhe Francës i kanë dorëzuar Kosovës draftin e statutit të Asociacionit.