Borrell: Marrëdhëniet e panormalizuara Kosovë-Serbi “pengesë” për integrimet evropiane

Shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka mbledhur sot kryediplomatët rajonalë me të cilët ka diskutuar zgjerimin e bllokut evropian, teksa ka përmendur edhe si “pengesë” marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht ngecjet në dialogun që lehtëson Brukseli.

Megjithatë, Borrell shprehet se “dinamika që do të incicojë Ukraina” në procesin e zgjerimit dhe anëtarësimit në BE do të përkthehet në përparim edhe për të gjitha vendet që kanë kandidaturat e tyre për hyrje në bllokun evropian.

“Komisioni Evropian ka propozuar hapjen e një procesi negociues me Ukrainën. Kjo do të shkaktojë një ortek të vendeve të tjera që duan të anëtarësohen. Ka një pengesë në negociatat ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por dinamika që do të iniciojë Ukraina do të ndikojë në të gjithë vendet kandidate që aktualisht presin radhën e tyre në procesin e negociatave”, tha Borrell.

Serbia një prej parakushteve për anëtarësim në BE e ka normalizim e marrëdhënieve me Kosovën dhe njohjen e kësaj të fundes, ndërsa Kosova gjendet ende në situatë të pamundur që aplikimi i saj për kandidaturë të çohet para në instanca të BE-së duke pasur pesë shtete mosnjohëse brenda bllokut.

Kohëve të fundit Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me të pranuar “planin e pesëshes” të ofruar më 21 tetor, ku përmbahet edhe një statut i Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe ka kërkuar nga top-liderët e BE-së që Kosovës t’i miratohet statusi i vendit kandidat, aplikim të cilën Kosova e ka kryer në dhjetor të vitit të kaluar.