Çdo ditë, para orës shtatë në mëngjes, Samir Hajda 45-vjeçar, niset nga ultësira e qytetit të Rahovecit drejt vendit afër Teqes së Sheh Muhedinit, ku pret për punë. Me pantallona të përbaltura pune, edhe këtë vjeshtë, nëpër mjegullën e lehtë që i bie qytetit, ngjet rrugët.
“Në ora 6:00 çohem. Pata apo s’pata punë, u mësu gjumi tash. Unë atëherë dal prej shtëpisë”, thotë ai me theksin e veçantë rahovecian. Edhe theksi i dallueshëm i Hajdës e bashkëvendasve të tij, thonë se ndërlidhet me punëtorët si ai. Thuhet që punëtorët dhe tregtarët sllavë të rrushit e verës, që kishin shkuar në Rahovec në fillim të shekullit XIX, nisën të flisnin pak shqip e pak gjuhët e tyre, gjë që ndikoi më pas në mënyrën se si është ndërtuar e folura e sotme.
Shkruan: Kosovo2.0
Në 27 vitet e fundit, ditë përditë Hajda pret t’i dalë ndonjë punë në bujqësi.
“Si fëmijë jemi mësu me rrush. Mu baba m’ka mësu me kit rrush. U kon rrushi jo kështu si sot, por rrush që u rritke përtoke”, thotë ai teksa kujton një kohë që nuk është më.
Qyteti piktoresk i Rahovecit është i vendosur mes vreshtave të gjelbërta, që shtrihen sa sheh syri. Këtë vjeshtë, në të dalë të qytetit në drejtim të fshatit Xërxë, traktorët kishin futur thellë plugjet në tokën pjellore të kësaj ane. Mes së blertës së vreshtave, mund të aty-këtu shquheshin edhe copëza toke të mbjellura me kultura tjera, pemë e perime.
Rahoveci është vend i rrushit. Një hartë e vjetër e vitit 1693 e fratit dhe enciklopedistit italian Vincenzo Coronelli, i identifikon qytetet e Rahovecit dhe Suharekës me rrush.
Pjesë e një familjeje të madhe, Hajda dikur punonte në vreshtin e vet, siç bënin tradicionalisht plot rahovecianë, si mënyrë të vetme për të mbijetuar. Kush mund të shiste rrush tryeze në tregje javore shiste e kush jo, dërgonte gjithçka në bodrumet e verës. Tash ai nuk ka vresht të vetin dhe qe disa vite punon në vreshta të të tjerëve.
Bashkë me Hajdën, edhe rreth 10 punëtorë zënë një vend përskaj rreth-rrotullimit te Teqja. Aty vijnë pronarët e vreshtave dhe merren vesh për të punësuar o Hajdën, o ndonjërin prej punëtorëve tjerë. Marrëveshja bëhet aty për aty, në këmbë.
“Ata vijnë, na afrohemi. Tregojnë çfarë pune kanë, na i japim çmimin dhe vazhdojmë”, tregon Hajda, që çmimin për një ditë pune e ka 40 euro. Ky është çmimi më i lartë që ka mbajtur ndonjëherë, i cili këtë vit është rritur për pesë euro. Në tri vitet e fundit rritjet kanë qenë nga pesë euro çdo vit.
Sapo dakordohet me punëndhënësin, ai niset për në vreshtë. Punën, si përherë, e nisë që në pranverë me krasitje, tërheqje të mbetjeve, më pas me rregullim të telave që mbajnë hardhitë bashkë me shtylla. Pastaj vazhdon me rrotullim dheu, spërkatje e deri në vjelje në vjeshtën e vonshme.
Rekordi i tij ndër vite në vjelje qëndron 1,800 kilogramë rrush në ditë — çka është sasi mëse e dëshirueshme për vreshtarët. Ndërsa nga puna e Hajdës për sezonin e këtij viti, pronari i vreshtit ka fituar 360 euro prej një vjeljeje nga shitja në bodrum. Ndërsa Hajdës fitimi mujor i ka shkuar në 800 euro, me të cilat mban familjen.
Të gjitha këto para i ka marrë në dorë.
“Kesh i marr, kesh. Ma rahat paret në dorë”, thotë ai, duke treguar se asnjëherë nuk ka pasur kontratë, që do t’ia shtonte edhe sigurinë fizike e edhe financiare. As s’e ka menduar e as s’ia ka ofruar kush.
Me dorezat e punës ngjitur në rripin e belit, mjeti i vetëm mbrojtës, Hajda tregon se ndonjëherë edhe ia kanë përçmuar djersën. “Erdhi njëri, kish qenë i jashtit. Tha ‘për 20 euro a po vjen se ma shumë nuk ia vlen’. Unë i thashë jo. Shkoi. Kur edhi nesër tha ‘hajde qaq sa e ke, se s’po gjej kurrkund punëtor’”, tregon Samiri, që numëron rreth 15 punëtorë të rinj, vetëm prej lagjes së tij, që kanë emigruar viteve të fundit.
“S’ka çmim me pasë punëtorë të rregullt”
Një parcelë rreth 30 ari shtrihet skaj rrugës Rahovec—Xërxë. Një burrë 75-vjeçar dallohet mes fletëve të mëdha të rrushit. Ai është Hajrullah Dula. Prej që e mban veten mend, ka qenë me këmbë e duar në vreshta. Rreth gjashtë hektarë plot me vreshta në vende të ndryshme rreth Rahovecit janë të tijat teksa dikur ka prodhuar edhe verë me bodrumin e tij. Me një palë gërshërë elektrike i këpuste hardhitë e i shtynte tutje.
“Këtë vnesht po e hjeki. Ky s’ban ma. Nuk ia vlen me mbajtë. I ka ba diku 15 vjet po besoj prej kur është mbjell”, thotë Dula pa i hequr sytë nga hardhitë.
“A don me e mbjell prapë?”, pyesim atë, “S’e di, ta shoh”, thotë ai. Një zë tjetër prej dy renda më tutje vjen: “Po çfarë të mbjellne bre”.
Me të, pandalë punonin edhe djali i Dulës, Sezai Dula, 52-vjeçar, përkrah me të birin Dardanin. Bashkë me ta ishte edhe djali i vëllait të Sezait, Albioni.
“Krejt kjo punë që duhet me ba, edhe në fund bodrumi [i verës] ta paguan 20 centë kilogramin. Kjo nuk është normale. Kështu që s’po e punojmë hiç. E heqi krejt edhe ia shti pllugin, e lavroj. S’ka çmim me pasë punëtorë të rregullt”, thotë Sezai.
Gjyshi me djalë e nipa hiqnin vreshtin pasi kishin përfunduar punët tjera. Ata punonin në një market lagjeje dhe një pompë derivatesh. Dikur merrnin edhe punëtorë të punonin vreshtin, por tash për ta paguar një punëtor u duhet t’i shesin 200 kilogramë rrush në bodrum të verës, që gjendet nja 200 hapa larg.
Teksa fliste Sezai, brezi më i ri Dardani dhe Albioni dëgjonin me vëmendje e aprovonin duke tundur kokën. Duart e tyre ishin nxirë nga teli që mban hardhitë e ata e tërhiqnin nga shtyllat e betonta të vreshtit dhe e mblidhnin. Për njërin prej tyre ishte hera e fundit që mblidhte tel. Së shpejti, në vend të telit, ai do t’i mbledhë rrobat që të niset për në Gjermani. Vëllai i tij tashmë ka nisur të punojë atje.
“Po e lëshoj Kosovën. Qe, a po e sheh? Punon këputesh në vneshtë, se përnime ka shumë punë, edhe në fund e marrin kilogramin 20 centë”, thotë Dardani.
Ecjen e tyre nëpër rendet e vreshtit e përcillnin kalaveshët e rrushit që nuk ishin vjelë. Rrushi muskat i bardhë sikur po shihte vëngër teksa injorohej dhe virrej edhe më poshtë.
Përfitimi i ulët financiar nga shitja e rrushit në bodrume, mungesa e një të ardhmeje të qëndrueshme për të punuar në bujqësi dhe migrimi i brezit të ri, kanë lënë shumë vreshta të papunuara e shumë kalaveshë rrushi pa vjelë.
Pak më poshtë në po atë lagje, Habib Dina po mbushte përplot gajbe rrushi një veturë “pick-up” për ta nisur në Pejë. Atij po i ndihmonte nipi i tij që t’i paloste mbajtëset e drunjta një mbi një qëmos të rrëshqisnin rrugës. Dina është i njëjtë si shumica e rahovecianëve tjerë — mes rrushit ka lindur, me rrush merret. Ai e ka vështirë të gjejë punëtorë për vreshtat e tij që shtrihen në mbi tetë hektarë.
“Nuk ka punëtorë më. Këta që dalin në Rahovec, shtyhemi cili me i marrë më herët. Dy ditë më herët i rezervojmë. Me të madhe kanë ikë”, thotë Dina. Ai thotë se puna në bujqësi është e pasigurt ligjërisht. Numri i atyre që punojnë të rregullt me kontratë është i vogël. Këtë ia atribuon edhe mospërkrahjes për të ruajtur kulturat bujqësore, e më shumë flet për rrush.
Ai udhëheq edhe shoqatën e vreshtarëve të Rahovecit, “Kultivuesit e Rrushit”, që numëron 80 anëtarë. Në mbledhjet që mban në shoqatë, ai njoftohet edhe me hallet e vreshtarëve. Një prej atyre halleve është zvogëlimi i sipërfaqes së vreshtave dhe interesimi në rënie për kultivim të rrushit si pasojë e mungesës së përkrahjes institucionale.
“Tash paramendo, dikur kanë qenë 11,000 hektarë me vreshta në Kosovë, kryesisht në rajonin tonë Rahovec, Suharekë, Gjakovë e Prizren. Tash në Rahovec janë 3,000 e pak hektarë vreshta. Çka me folë më shumë”, thotë Dina, teksa tregonte me dorë kodrat rreth rrugës.
Sipas statistikave të shfrytëzimit të tokës bujqësore për vitin 2022 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), vreshtat përbëjnë afro 3,500 nga mbi 420,000 hektarë të tokës së shfrytëzuar në Kosovë. Në këtë tokë, sipas Anketës së Fuqisë Punëtore për vitin 2022, punojnë zyrtarisht 9,110 punëtorë, prej të cilëve 8,073 burra dhe 1,037 gra. Këta njerëz, që punojnë në kategorinë “Bujqësi, Pylltari dhe Peshkim” përbëjnë vetëm 2.2% të të gjithë të punësuarve në Kosovë.