Prindërit e Astrit Deharit kërkojnë shkarkimin e Afrim Shefkiut: Vetëm prokuror nuk është

Avni Dehari, babai i Astrit Deharit, ka kritikuar ashpër Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, i cili është duke u marrë me rastin Dehari.

Deputeti i VV-së ka deklaruar se Afrim Shefkiu mund të jetë gjithçka tjetër, vetëm prokuror jo.

Në profilin e tij në “Facebook”, Dehari ka shkruar se prokurori Shefkiu për pesë vjet me radhë ka bërë shkelje të rënda për rastin në fjalë.

Sipas tij, ky prokuror vazhdimisht ka tentuar ta fshehur të vërtetën për vdekjen e djalit të tij, i cili ka ndërruar jetë në nëntor të vitit 2016 në Qendrën e Paraburgimit të Prizrenit.

Afrim Shefkiu mund të jetë gjithçka tjetër, por assesi nuk mund të jetë prokuror! Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, që në vitin 2019 e ka marrë për trajtim lëndën e Astritit, që më 5. 11. 2016 është vrarë në Qendrën e Paraburgimit të Prizrenit. Me datë 7. 11. 2023 ky prokuror ka kërkuar nga dy policë hetues: rreshter Hamit Reçica dhe rreshter Ali Berisha ta intervistojnë Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun dhe të marrin masa kundër saj për një status në facebook, më 5. 11. 2023, në të cilin ajo ka shkruar: “Provat ekzistojnë dhe gjithçka që duhet është vullneti i policisë dhe prokurorisë për ta zbardhur deri në fund këtë rast”. Në këtë postim Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shkruar se prokurori i rastit i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, “… është përgjegjës për t’i treguar familjes dhe qytetarëve se kush janë vrasësit!”, ka shkruar ai.

Më tej, ai ka treguar për shkeljet që prokurori ka bërë.

Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, për pesë vjet me radhë, vazhdon të bëjë shkelje të rënda për ta fshehur të vërtetën për vdekjen e Astritit në Qendrën e Paraburgimit të Prizrenit, që do t’i paraqesim në vijim: E para, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, si ish-kolegu i tij Sylë Hoxha, asnjëherë nuk na ka ftuar si prindër të na njoftojë për ecurinë dhe për rezultatet e hetimeve për vrasjen e djalit tonë në Qendrën e Paraburgimit të Prizrenit, më 5. 11. 2016. E dyta, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, qëllimisht ka manipuluar me të dhënat e raportit të parë të hetuesve ndërkombëtarë të Mjekësisë Ligjore nga Lozana e Zvicrës, të angazhuar që nga viti 2017, që përjashtojnë mundësinë e vetëvrasjes së Astritit dhe porositin që të kihet parasysh prania e personit të tretë me rastin e vdekjes së Astritit, në Qendrën e Paraburgimit të Prizrenit”, ka shkruar ai, duke treguar edhe për shkeljet tjera.

E treta, prokuroi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, edhe me konferencë për media, që bie në kundërshtim me praktikën juridike, qëllimisht ka manipuluar me raportin e dytë të hetuesve ndërkombëtarë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të Lozanës së Zvicrës, që edhe në këtë raport vërtetojnë tezën e raportit të parë për vrasjen e Astritit në Qendrën e Paraburgimit të Prizrenit. E katërta, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, edhe pse hetuesit ndërkombëtarë të Instituti të Mjekësisë Ligjore të Zvicrës, në raportin e tyre pohojnë se u është dërguar zarfi i zbrazët, pa thonjtë e Astritit, që atyre u nevojiteshin për ekzaminim, nuk ka nisur hetim penal kundër askujt, që e ka bërë këtë shkelje. E pesta, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, edhe pse në raportin e dytë të hetuesve ndërkombëtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Zvicrës, thuhet se u janë dërguar mostra të papërdorshme, që janë dëmtuar për shkak të ambalazhimit joprofesional, nuk ka nisur hetim penal kundër askujt që e kanë bërë këtë shkelje”, ka shkruar ai.

Sipas tij, prokurori ka bërë edhe disa shkeljet tjera.

Ai ka kërkuar nga prokuroria shkarkimin e Afrim Shefkiut.

Rrjedhimisht, ne si prindër të Astritit të vendosur për zbardhjen e rastit dhe për nxjerrjen e personave përgjegjës para drejtësisë ligjore, kërkojmë nga institucionet përgjegjëse dhe kompetente për ndjekjen e krimit të rëndë – vrasjes, shkarkimin e Afrim Shefkiut nga rasti i Astritit, ndjekjen e tij penale për manipulim, neglizhencë, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe fshehje të vrasësve të Astritit. Afrim Shefkiu mund të jetë gjithçka tjetër, por assesi nuk mund të jetë prokuror! Prindërit e Astritit Xhemile dhe Avni Dehari”, ka shkruar Dehari.