“E largoi pacienten shtatzënë”/ Flet gjinekologu i shkarkuar në Gjakovë: Hakmarrje që e mora shefllëkun

Ushtruesi i detyrës së shefit të repartit të Gjinekologjisë në Spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë, Genc Macula, është shkarkuar nga kjo pozitë pas një ankesës nga një paciente shtatzënë, e cila ka raportuar se i njëjti e ka larguar me forcë me arsyetimin se e njëjta kontrollet mjekësore i ka përfunduar në një ordinancë private.

Macula i ka mohuar dyshimet e ngritura ndaj tij, teksa vendimin për shkarkim e ka quajtur politik – duke e akuzuar drejtorin e spitalit.

Pas raportimeve për rastin që pretendohet se ka ndodhur në këtë repart, Gazeta Sinjali ka kontaktuar Maculën, për të marrë versionin e tij për atë që dyshohet se ka ndodhur.

Sipas gjinekologut, pacientja në fjalë e ka kryer lindjen në këtë repart dhe gjithçka që ka ndodhur më pas ka qenë pretekst për ta larguar atë nga kjo pozitë. Ai madje e ka akuzuar edhe pacienten, për të cilën thotë se ka provokuar , përkundër që i është dhënë vërejtja.

“Jo, nuk është e vërtetë. Vendimi për shkarkimin tim është politik. Nuk mundem unë me largu asnjë shtatzënë nga spitali, sepse ne veprojmë në mënyrë kolektive, jo individuale. Pacientja ka qenë e përgatituR për me vepru ashtu, ka provokuar. Ka hy e ka dalë sa herë ka dashtë. S’mundemi me lënë pacientin me hy kur don, e me dalë kur don. Ia kemi dhënë vërejtjen që mos gabo me hy e me dalë sa herë të don.”, tha Macula për Sinjalin.

Macula tha se është shkarkuar padrejtësisht nga kjo pozitë dhe nuk ka marrë kurrfarë arsyetimi për këtë vendim, që tha se e ka marrë të hënën.

Ai thotë se fajtor është drejtori i spitalit, Hilmi Shala, i cili është hakmarrë që në vendin e tij ta emërojë personin që ka qenë më herë në këtë pozitë.

“Pra s’është e vërtetë hiç, ajo është pretekst i drejtorit. Edhe me dashtë unë s’mundem me largu kërkond. Kjo është bërë nga disa individë që kanë deshtë me marrë postin tim. Kjo është hakmarrje që e kam marrë shefllëkun. Atë personin që ia kam marrë shefllëkun, qato e kanë emëru prapë. Këta nuk duan rregull. Ky është rast politik.

Shkarkimi është politik, asnjë arsyetim nuk e ka dhënë drjetoria. Vendimi për shkarkim më ka ardhë të hënën”, përfundoi Macula.

Lajmin për shkarkimin e tij e ka konfirmuar edhe drejtori Hilmi Shala, i cili tha se vendimi është marrë në bazë të ankesës së pacientes.

 “Rasti ka qenë tepër i ndjeshëm dhe veprimi i jonë ka qenë i menjëhershëm. Ne jemi të obliguar që të gjithë qytetarëve t’u ofrojmë ndihmën e kërkuar pa dallime, për arsye se të gjitha institucionet publike e private që janë të licencuara, jemi të barabarta me Ligj, pavarësisht se nga cili institucion referohet”, u shpreh ai.