KMDLNj: Për fundvit Shqipëria falë 570 të burgosur, Kosova asnjë!

KMDLNj ka reaguar ndaj një vendimi të Ministrisë së Drejtësisë në Shqipëri, ku këtë fundvit, pritet të falen, 570 të burgosur dhe të dënuar.

Sipas KMDLNj, ky vendim atje nuk është i pari, por në këtë aspekt, Kosova ende nuk ka bërë ndonjë lëvizje, transmeton klankosova.tv.

KMDLNj thotë se në Kosovë, që nga përfundimi i luftës nuk ka pasur falje të personave të privuar nga liria në mungesë të bazës ligjore për këtë. Të burgosurit kanë mundur të kërkojnë falje vetëm nga presidenti dhe nga Paneli për Lirim me Kusht.

”Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë përmes një ligji mori vendim që në fund të vitit 2023 të falë 570 të burgosur dhe të dënuar e që është në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut si edhe me të drejtat e personave të privuar nga liria. Përfituesit e kësaj faljeje janë të kategorizuar sipas peshës së veprës, dënimit, moshës, gjendjes shëndetësore, gjinisë dhe shkallës së risocializimit etj. Kjo nuk është falja e parë që bëhet në Shqipëri por se është shndërruar thuaja në rregull. Në Kosovë, që nga përfundimi i luftës nuk ka pasur falje të personave të privuar nga liria në mungesë të bazës ligjore për këtë. Të burgosurit kanë mundur të kërkojnë falje vetëm nga presidenti dhe nga Paneli për Lirim me Kusht. Këto adresa janë edhe sot në kohën kur falja nga presidentja është thuaja inekzistente ndërsa Paneli për Lirim me Kusht kohëve të fundit po sillet më dorëlirë ndonëse, as përsëafërmi me atë sa e meritojnë personat e privuar nga liria.

KMDLNj – në vazhdimësi ka kërkuar që të votohet Ligji për Amnisti por se nuk janë ndërmarrë veprimet përjashtuar premtimet, kryesisht për qëllime politike. Ministria e Drejtësisë në Kosovë nuk ka mundësi apo përgjegjësi ligjore të falë të burgosurit në asnjë rast por as që ka treguar ndonjë gatishmëri të angazhohet më seriozisht në këtë drejtim, as kjo që është tani në qeveri e as ato para saj.

Të privuarit nga liria që trajtohen në institucionet mbajtëse dhe korrektuese të Kosovës, në rrethana normale pasi t’i kenë kryer 2/3 e dënimit i drejtohen Panelit për Lirim me Kusht i cili merr vendim për lirim të menjëhershëm nëse vlerëson se i kanë plotësuar kushtet e që pastaj monitorohet nga Shërbimi Sprovues i Kosovës nëse sjelljet e të liruarit me kusht janë në përputhje me vendimet e Panelit.

Afërsisht aq sa të burgosur përfitojnë në Shqipëri nga Ligji për Falje, e që janë 570, numër i përafërt  (500-600) i drejtohen presidentes së Kosovës për falje dhe nuk falet asnjë! Presidentja ka të drejtë t’i falë të gjithë të burgosurit që kërkojnë falje, mund të mos e falë asnjërin sepse e ka këtë të drejtë, mund të marr parasysh rekomandimin e komisionit ad hoc por mund ta injorojë krejtësisht propozimin komisionit ad hoc dhe në asnjë rast nuk konsiderohet si shkelje e ligjit apo përgjegjësive për këtë veprim apo mosveprim. Në anën tjetër me këtë sjellje të presidentes problemet më të mëdha i shkaktojnë Shërbimit Korrektues të Kosovës që punojnë me të burgosurit, që nga dita e pranimit e deri në ditën kur lirohen. Vet refuzimi thuaja i të gjitha kërkesave për falje nga presidenti /presidentja paraqet goditje ndaj SHKK për faktin se i devalvon para të burgosurve dhe ua merr argumentin motivues se me sjellje të mira, të burgosurit do të fitojnë, sidomos nga falja. Të burgosurve mund t’iu krijoni kushte të mira fizike, trajtim të mirë, kushte për risocializim por se këto nuk çojnë fare peshë nëse ua pamundësoni lirimin e parakohshëm apo zbutje të dënimit.

Nëse krahasoni kushtet e të burgosurve në Shqipëri dhe në Kosovë, kushtet janë pakrahasimisht më të mira në Kosovë sikur që edhe trajtimi është më i mirë. Të burgosurit dhe të dënuarit në Kosovë janë shumë më socialë dhe më bashkëpunues në programin e risocializimit se në Shqipëri mirëpo përfitojnë shumë më pak se ata në Shqipëri. Kosova ka më pak recidivistë se që janë në Shqipëri prandaj nuk është e kuptueshme sjellja e institucioneve kosovare që nuk angazhohen për miratimin e Ligjit për Falje e që do të ishte në dobi të të gjitha palëve”.