KEDS po investon fuqishëm në komunën e Deçanit. Kompania ka në implementim e sipër 27 projekte anekënd kësaj komune. Pas realizimit të tyre, me rrjet të ri elektrik do të bëhen mbi 10 mijë banorë të asaj ane.
Kjo nënkupton që një pjesë e konsiderueshme e deçanasve do të kenë shërbime më kualitative dhe siguri më të madhe të furnizimit. Pra, në Deçan, rrjeti elektroenergjetik modern po e zëvendëson të vjetrin.
Konkretisht, KEDS-i ka filluar realizimin e projekteve në fshatrat Ratishë, Irzniq, Prokolluk, Gllogjan, Shllup, Pobergj dhe Dranoc.
Bëhet fjalë për projekte të tensionit të ulët, ku afër 80 kilometra të rrjetit elektrik do të jetë komplet i ri. Prej tyre, afër 6 km do të jetë rrjet nëntokësor i tensionit të ulët dhe të mesëm, ndërsa linjë ajrore e tensionit të mesëm dhe e atij të ulët do të jetë pjesa tjetër.
Aktualisht po realizohen punime për vendosjen e stabilimenteve elektrike, shtyllave të betonit, linjave elektrike dhe transformatorëve të rinj. Në kuadër të këtij projekt pritet të vendosen 1325 shtylla të betonit dhe 18 transformatorë të rinj.
Ky projekt kapital, i cili kap shumën prej afër dy milionë eurosh, bën pjesë në kuadër të planit investiv të KEDS-it dhe pritet të përfundojë përgjatë periudhës 2024-2025.
Parapërgatitjet po bëhen edhe për fillimin e punimeve në fshatrat e tjera të kësaj komune, si në Isniq, në Strellc të Epërm dhe në Strellc të Ulët. Projekti në këto fshatra fillon në pjesën e parë të vitit të ardhshëm.