Austria del me propozim për BE-në: Kosova të njihet nga 5-shja, të avancohet dosja e aplikimit për anëtarësim

Kritika të ashpëra për BE-në për mos bërjen mjaftueshëm në mbajtjen e premtimeve për rajonin janë nisur sot nga ministrja e Qeverisë së Austrisë për BE dhe Kushtetutën, Karoline Edtstadler.

Në reagimin e saj në platëformën “X” ajo ka shprehur qëndrimin zyrtar të Austrisë që Bashkimi Evropian duhet të marrë drejtimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor, teksa shtoi se gjatë këtij viti duhet të hapen bisedimet për anëtarësim me Bosnje e Hercegovinën, ndërkohë përgjatë vitit 2024 thotë se duhet të organizohen konferenca ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, teksa për Malin e Zi e njëjta tha se duhet të bëhet progres real me anëtarësimin e këtij shteti para zgjedhjeve të brendshme në Bashkim Evropian.

Edtstadler një pikë të veçantë ia kushtoi edhe Kosovës, dhe dialogut me Serbinë, teksa shton se duhet të bëhet progres me anëtarësimin e Serbisë dhe me avancimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim gjithashtu para zgjedhjeve të brendshme.

Progres në bisedimet për anëtarësimin e Serbisë dhe procesimin e aplikacionit të Kosovës për anëtarësim para zgjedhjeve të BE-së ( ndërlidhur me zhvillimet e mëtejme në bisedimet për normalizim ndërmjet Serbisë dhe Kosovës); nëse BE dëshiron gë prijë, njohja e Kosovës nga të gjitha vendet anëtare është imperativ”, thuhet në pikën 4 të propozimit austriak.

Edtstadler ka potencuar se nëse Bashkimi Evropian dëshiron ta marrë drejtimin në rajonin e Ballkanin Perëndimor atëherë pavarësia e Kosovës duhet të njihet nga të gjitha shtetet e BE-së.

“Jam plotësisht i bindur se familja evropiane nuk është e plotë pa gjashtë partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor. Le të tregojmë se Evropa është e aftë të jetë një aktor gjeopolitik të paktën në portat e saj – jo, në oborrin e saj”, përfundoi ministrja austriake.