Lajçaku erdhi, diskutoi dhe nuk e publikoi: Kërkohet publikimi i draft-statutit të Asociacionit

Kanë kaluar dy javë që pesëshja diplomatike euro-amerikane e ka sjell në Prishtinë draft-statutin e Asociacionit, por ai ende nuk është publikuar.

Ndonëse publiku nuk e ka parë përbërjen e tij, drafti vazhdon të mbetet tema kryesore në vend. Zbardhja e këtij dokumenti nuk ka ndodhur as gjatë vizitës së emisarit të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, në Kosovë.

Madje, takimi i tij më liderët opozitarë ka sjell konfuzion më të madh.

Pas takimit, ata kanë shprehur versione të ndryshme rreth asaj që është diskutuar me diplomatin evropian.

Derisa kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, kanë thënë se në takim nuk është prezantuar drafti i Asociacionit, ndryshe ka deklaruar lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ky i fundit ka thënë se në takim ka pasur mundësi ta lexon në tërësi drafti-statutin.

Përfaqësuesit e PDK-së dhe LDK-së, pas takimit, janë ankuar se po mbahen në terr informativ për këtë çështje.

Ata kanë kërkuar transparencë më të madhe nga kryeministri Albin Kurti për këtë çështje.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka deklaruar se emisari evropian, Miroslav Lajçak, nuk e ka treguar tekstin e Asociacionit, pro e kanë diskutuar, për të cilin, u është thënë se është në pajtim me Kushtetutën e vendit.

Ne patëm një takim e emisarin Lajcak, ishte një takim informues në lidhje me rrjedhen e procesit në javët e fundit. Ai na informoi për hapat që janë ndërmarrë nga ana e tyre, dhe po ashtu në terma të përgjithësuar, shprehu qëndrimin e shteteve të BE-së dhe përfaqësuesve të tjerë që drafti i Asociacionit që është propozuar, është një draft në pajtim me Kushtetutën, por fatkeqësisht nuk patëm mundësinë ta konsultojmë tekstin integral.”, ka deklaruar ai.

Të njëjtat shqetësime i ka shprehur dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Ai ka thënë se opozita dhe populli i Kosovës po vazhdojnë të jenë të terr informativ për këtë çështje të rëndësishme për Kosovën.

Sipas tij, kryeministri Albin Kurti duhet ta njoftoj opozitën dhe popullin e Kosovës për këtë çështje.

Unë besoj se angazhimi i tij është për tu vlerësuar, dhe ndarje e kohës me LDK dhe partitë tjera opozitare është tu vlerësuar. Përkundër që po vazhdojmë të mbahemi në një formë apo një tjetër në terr për shkak të moszbardhjes së dokumentit, mosbërjes transparent se paku në parime dhe në angazhime që duhet kryeministri i Republikës si kryenegociator me ua afru deputetëve në çfarëdo forme dhe popullit të Kosovës”, ka thënë Haziri.

Krejt ndryshe është shprehur lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ai ka thënë se në takim me emisarin e BE-së ka parë dhe lexuar draft-statutin e Asociacionit.

Patëm mundësinë që të njoftohemi me dokumentin e draft-statutit, që ta lexojmë në tërësi. Edhe të zhvillojmë një bisedë lidhur me hapat e mëtejshëm që e presin Kosovën dhe atë çka mund të pres Kosova po ashtu pas impemtemtim të obligimeve që ka marrë”, është shprehur Haradinaj.

Edhe shoqëria civile kërkon transparencë

Ndaj mospublikimit të draftit të Asociacionit ka reaguar edhe shoqëria civile.

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka kërkuar që kryeministri i Kosovës të bëjë publik draft-statutin e Asociacionit.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Asociacioni do të ndikojë në jetën e qytetarëve si dhe në rendin kushtetues e juridik të Kosovës.

Sjellja dhe vendimet e kryeministrit të Kosovës, larg publikut, pa transparencë dhe përgjegjësi, janë normë e qeverive të mbyllura, pa llogaridhënie dhe tendencë e koncentrimit të pushtetit. Këto praktika rrisin mosbesimin e qytetarëve ndaj institucioneve, vlerave të përfaqësimit dhe minojnë e degradojnë përkushtimin për një shoqëri me demokraci të qëndrueshme. Kryeministri Kurti ka mandatin dhe legjitimitetin qytetar dhe kushtetues për të marrë vendime, por jo për të degraduar vlerat e përfaqësimit dhe demokracisë. Vendimet, duhet ti marrë pasi ti shterrojë diskutimet me të gjitha palët, përfshirë qytetarët. Ai duhet të bëjë publik draft statutin”, ka shkruar ai.

Edhe njohësi i rrethanave politike në vend, Shenolll Muharremi, është shprehur i habitur me mospublikimin e draftit.

Pse po fshihet statuti i Asociacionit? Lajcak paska ardhur me ‘duar në xhep’. Po takon opozitën e ambasadorë të huaj në Kosovë dhe po ju tregon gojarisht për statutin. ‘Modern’ ‘Europian’ ‘Në Harmoni me Kushtetutën’. Pyetja fundamentale është: nëse është kaq i mirë, pse po fshihet nga opozita dhe publiku? Puna është që pas takimeve të sodit, ai dhe shërbimi i jashtëm do të thotë që ‘ne konsultuam opozitën dhe hisetarët’ por kjo nuk qëndron, për shkak se ende askush nuk e ka parë përmbajtjen e statutit”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Faceboook”, se në asnjë vend tjetër demokratik nuk do të tolerohej një gjë e tillë.

A ka mundësi me qenë kaq i mirë, e në anën tjetër me qenë kaq jo transparent. Ai po e prezenton gojarisht, por kush i beson Lajcakut? Askush. Dhe nuk duhet me i besu fjalëve të askujt. Provoni në Gjermani, Francë apo edhe Sllovaki të silleni kështu apo të veproni ngjashëm, dhe do digjen ndërtesat e qeverive”, ka shkruar Muharremi.

Draft-statuti i ri i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është sjell në Prishtinë nga pesëshja diplomatike euro-amerikane më 21 tetor.

Krejt çka dihet për këtë draft është ajo që ka thënë kryeministri Albin Kurti. Sipas tij, drafti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës./Nacionale