Kush e ka parë e kush jo? Haradinaj thotë se e lexoi draft-statutin “që nuk e panë” PDK-ja e LDK-ja

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, tha të martën se emisari i Bashkimit Evropian (BE), Miroslav Lajçak, e përsëriti se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është në përputhje me Kushtetutën e vendit, por shtoi se “ne, fatkeqësisht, nuk patëm mundësi ta shohim përmbajtjen e tij”.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, u takua sot me Krasniqin dhe nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lufti Haziri, dy partive më të mëdha opozitare në vend, si dhe Ramush Haradinajn e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, gjatë vizitës së tij dyditore në Kosovë.

Duke folur pas takimit, Krasniqi tha: “Ne kemi nevojë t’i shohim hollësitë e tekstit [draft-statutit] për të qenë të sigurt se një themelim i Asociacionit nuk do ta ndryshojë për të keq karakterin unitar të shtetit tonë dhe nuk do ta transformojë republikën e Kosovës nga idealet e themeluesve të këtij shteti”.

Megjithatë, për dallim nga dy opozitarët e tjerë, kryetari i AAK-së Haradinaj tha se e “ka parë draft-statutin”.

“E kemi lexuar draft [statutin] në tërësi. Ai shpjegon të gjitha mundësitë që Asociacioni ua ofron komunave me shumicë serbe, kuptohet, çdo herë duke iu Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, tha Haradinaj.

Krasniqi dhe Haziri thanë se i kanë kërkuar Lajçakut që BE-ja t’ia heqë Kosovës sanksionet.

BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës në qershor, për siç tha, shpërfilljen e kërkesave për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, ku u ngritën tensionet në fund të majit, pasi kryetarët shqiptarë u vendosën në katër komunave me shumicë serbe – pas zgjedhjeve të prillit të cilat u bojkotuan nga popullata lokale serbe.

Ndërkohë, Lajçaku tha pas takimit me liderët opozitarë në Prishtinë se kishte një ditë “shumë produktive në Kosovë me shkëmbime të mira për zhvillimet më të fundit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe për rrugën përpara”.

Lajçaku u takua dje me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, me të cilin tha, në një postim në rrjetin social X, se u pajtua për hapat e ardhshëm dhe për zbatimin e plotë dhe pa vonesa e parakushte të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.