Ndryshe nga Memli Krasniqi dhe Lufti Haziri, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, pas takimit me Emisarin Special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se e ka parë draft-statutin evropian për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin Kosova e ka pranuar.
“Patëm mundësi që të njoftohemi me dokumentin e draft statutit që ta lexojmë në tërësi, edhe ta zhvillojmë një bisedë për hapat e mëtejmë që e presin Kosovën dhe atë se çfarë mund të pres Kosova pas implementimit të obligimeve që Kosova i ka marrë nga plani franko-gjerman”, tha Haradinaj.
“E kemi lexuar në tërësi. Drafti i shpjegon të gjitha mundësitë që Asociacioni i jep komunave me shumicë serbe, pra qytetarëve që jetojnë në këto komuna, kuptohet çdo herë i referohet Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”.
“Në këtë draft nuk ndryshojnë përgjegjësitë e komunave dhe Asociacioni nuk merr nga këto përgjegjësi, por po ashtu janë shumë lehtësira që i krijohen në arsim, shëndetësi funksionimit dhe mundësive që i jep Asociacioni”.