Sindikata e KEK-ut ka njoftuar se e kanë shtyrë protestën e paralajmëruar për sot, pasi kanë marrë zotim se kërkesat e tyre do të realizohen.
Në njoftimin e sindikatës thuhet se kryesuesi i bordit drejtues dhe menaxhmenti i KEK-ut është zotuar për të plotësuar kërkesat e sindikatës dhe ka premtuar se do të vazhdojë dialogun me sindikatat për të adresuar çështjet e punëtorëve në mënyrë të drejtë.
“Me këtë mendim dhe duke iu besuar zotimit të KEK-ut për të ndërmarrë veprime konkrete, kemi vendosur të shtyjmë protestën tonë të planifikuar më datën 7 nëntor 2023. Qëllimi ynë është të hapim rrugën për dialog dhe zgjidhjen e kërkesave tona në një mënyrë të qetë dhe të drejtë”, thuhet aty.
Në rast të mospërmbushjes së kërkesave të tyre, sindikata ka paralajmëruar se janë të përgatitur për veprime sindikaliste.
“Megjithatë, është e rëndësishme që të kemi parasysh se këto janë premtime, dhe ne do të jemi të përgatitur për veprime sindikale nëse kërkesat tona të drejta dhe ligjore nuk realizohen në mënyrë të plotë. Do të vazhdojmë të jemi aktiv dhe do të ndërmarrim hapa të duhur për të mbrojtur të drejtat tona.”