Kica-Xhelili i reagon Muratit për marrëveshjet ndërkombëtare: Propagandues patologjik! Kjo nuk është politikë

Deputetja e kësaj partie, Doarsa Kica-Xhelili, shefin e Financave e ka quajtur “propagandues patologjik”, ndërsa ka kujtuar se LDK-ja ka votuar pro marrëveshjeve ndërkombëtare.

Kjo pasi Ministri i Financave, Hekuran Murati, përmes një reagimi në Facebook lidhur me Termokosin, tha se “financimi për zgjerim të rrjetit ekziston”, por fajësoi opozitën për mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend.

Ai i bëri thirrje Abdixhikut që të kërkojë vetë votat e partnerit të tyre në Prishtinë që të kalojnë marrëveshjen ndërkombëtare që i referohet Termokos-it.

Kjo shkaktoi reagimin e deputetes së LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, e cila i kujtoi ministrit Murati se LDK-ja ka votuar pro marrëveshjeve ndërkombëtare.

“PROPAGANDUES PATOLOGJIK Ministri Hekuran Murati po kërkon që LDK, e cila ka votuar PËR marrëveshje ndërkombëtare, t’i bind partitë TJERA opozitare të votojnë. Ministri i takon një partie politike që në nivel lokal ka koalicione PIKËRISHT me ata që nuk ja votojnë marrëveshjet, por disi, ‘harron’ kur nuk i konvenon. Nuk e di saktë ku fillon e kulmon domosdoshmëria e njeriut të propagandojë tërë kohën, por KY duhet të jetë kulmi. Kjo nuk është politikë. Të jetosh obsesivisht në trillim ka tjetër dimension patologjik.” – ka shkruar Kica-Xhelili në Facebook.