Dje është mbajtur mbledhje e Lëvizjes Vetëvendosje me pikat e saj nëpër Kosovë.
Lideri i partisë dhe i kësaj ngjarjeje, Albin Kurti, ka folur gjatë dhe për shumë çështje duke nisur nga rasti i Astrit Deharit deri te sukseset e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet.
Një pjesë e fjalimit të Kurtit ku flet për investimet 2023-2027:
Në vitet 2023-2027 ne do të investojmë 48 milionë euro në strategjinë për e-qeverisje, e veç këtyre do të investojmë edhe 9.8 milionë euro për forcimin e sigurisë kibernetike, si interes e siguri kombëtare.
Fokus i qeverisë sonë është edhe përmirësimi e zhvillimi infrastrukturor, që Kosova të jetë sa më e ndërlidhur me rajonin dhe botën, por edhe së brendshmi, të ketë transport cilësor e të lehtë midis regjioneve.
Dje ishim në përurimin e linjës hekurudhore Han i Elezit-Fushë Kosovë, pra Linjës Hekurudhore 10, ku po investojmë mbi 200 milionë euro e ku do të mundësohet transport cilësor e i shpejtë, me trena mbi 100 km/h, teksa më parë trenat më të shpejtë kanë qenë më të ngadaltë se 60 km/h. Linjat e brendshme hekurudhore po përparojnë, në projektet rehabilituese dhe shpejt aty do të sjellim edhe trena cilësorë. Përveç kësaj, projekt ku jemi përqendruar e ku tashmë kemi financuar fizibilitetin bashkë me qeverinë e Shqipërisë, është hekurudha Prishtinë-Durrës. Me po aq interes për neve janë edhe akset, rruga Prizren-Tetovë, që është në fazë prokurimi, si dhe ato Deçan-Plavë e Pejë-Rozhajë, për të cilat tashmë kemi marrëveshje me Maqedoninë e Veriut, respektivisht me Malin e Zi.
Kur flasim për hekurudhat dhe rrugët që na lidhin me shtetet e tjera, nuk duam të themi se rrugët vendore, të brendshme, nuk janë prioritet për qeverisjen tonë. Mbi 75% të punimeve kanë përfunduar tashmë për autostradën Gjilan-Prishtinë, dhe vitin tjetër kemi ndarë buxhetin e do të fillojnë punët për pjesën e autostradës Gjilan-Dheu i Bardhë. Vitin e ardhshëm do të përfundojë edhe rruga Dollc-Gjakovë, teksa do të vazhdojnë punimet edhe për segmentet Kijevë-Dollc e Dollc-Zahaq. Rruga Prishtinë-Mitrovicë, e cila ka filluar që nga viti i largët, 2009, por kurrë nuk është bërë, tash ka kaluar në procedura për kontraktim të ri, dhe më në fund do të bëhet realitet. Por kur vjen puna te investimet rrugore, duhet ta nënvizojmë se ne i kemi zvogëluar borxhet e shpronësimeve me 82 milionë euro, dhe e kemi zvogëluar pagesën e mirëmbajtjes pa e zvogëluar cilësinë, për gati 20 milionë euro më lirë. Këto janë para që ne ia kemi kursyer Kosovës, ia kemi kursyer qytetarëve tanë, që si tatim pagues mbushin buxhetin e shtetit, dhe do të përdoren atje ku duhet, e jo për të pasuruar ata që nuk e meritojnë.