Rrafsh 7 vjet më parë, një aktivist i Vetëvendosjes deri në atë kohë jo fort i njohur për publikun me emrin Astrit Dehari ishte gjetur i vdekur në qelinë e tij ku po mbahej në paraburgim në Prizren. Ishte 26-vjeçar. Po akuzohej – bashkë me pesë aktivistë tjerë të partisë – për gjuajtjen e Kuvendit të Kosovës me zollë.
Dy vjet më parë, në qershorin e 2014-s, familja Dehari ishte goditur nga një tjetër ngjarje e rëndë. Arbnori, djali i madh, kishte vdekur pasi kishte rënë nga ballkoni i banesës së tij. Vdekja e Astritit e shtoi tragjedinë e familjes. Dhe e keqja u shtua se e gjithë kjo po ndodhte në rrethana të acaruara politike, në një polarizim që thithte gjithçka brenda si vrimat e zeza në univers.
Pra, ishte 5 nëntori i vitit 2016. PDK-ja me LDK-në ishin në pushtet. VV-ja s’po jepte kurrfarë shenjash të ndarjes që do të vinte pak muaj më vonë, por s’i kishte më shumë se 16% në zgjedhje. Dhe vdekja e Astritit e rriti polarizimin. VV-ja provoi ta ndërtonte idenë se jo vetëm që kishim të bënim me vrasje, por se ajo vrasje ishte vrasje politike.
Marshet që kërkonin “Drejtësi për Astritin” ishin të përvitshme dhe masive. Sidoqoftë, marshi i fundit i mbajtur për çudi më 3 nëntor – ditën kur kryeministri Kurti po fliste para deputetëve për draftin e Asociacionit që e pranoi në Bruksel – nuk i mblodhi as 100 vetë. Pse ndodhi kështu?
Jo shkaku i familjes Dehari. Një familje që ka përjetuar dhimbje të mëdha, dhe që një bagazh të madh të angazhimit për çështje kombëtare. Shkaku i disa ngjarjeve të pakëndshme që ndodhën përgjatë fundit të vitit të kaluar, e edhe këtij viti.
Ishte dhjetori i vitit të kaluar, pra vitit 2022. Ministrja Albulena Haxhiu e kishte njoftuar opinionin publik se ishin zhdukur disa mostra të Astrit Deharit nga Instituti Mjeko-Ligjor. Tashmë po bëhet gati një vit prej që u dha ky lajmërim, e gjërat janë bërë vazhdimisht e më të përçudshme.
Katër zyrtarë të Institutit Mjeko-Ligjor ishin suspenduar nga puna. E të njëjtit, më vonë ishin rikthyer në punë. Albin Kurti – kryeministri i Kosovës – kishte heshtur për këtë skandal. E gjithë kjo po ndodhte derisa Kurti me të tijët ishin në pushtet. Përgjegjësia s’i mbeti askujt.
Sindikata e Institutit të Mjekësisë Ligjor i kishte dërguar letër ministres Albulena Haxhiu rreth tetë muaj para se të kuptohej për zhdukjen e mostrave duke i treguar për ndërhyrjen e këshilltares së saj, Nazlie Balës, në punën e këtij institucioni.
“Ne e kemi parasysh që është në diskrecionin tuaj se kë e emëroni këshilltar, mirëpo për neve është e papranueshme që proceset e IML-së të jenë komplet të dirigjuara nga këshilltarja juaj politike, znj. Nazlie Bala.” – shkruhej mes tjerash në atë letër.
Çka do të ndodhte sikur kjo që ngjau në kohën e Albin Kurtit e Albulena Haxhiut me mostrat e Astrit Deharit të ndodhte në kohën e PAN-it, apo të Isa Mustafës?
Qe pse, protesta ku kërkohej drejtësi për Astritin e mbajtur të premten më 3 nëntor – dy ditë para përvjetorit – ishte e zbehtë.
Dita e vdekjes
Në mbrëmjen e 5 nëntorit të vitit 2016, u raportua për vdekjen e një personi brenda Qendrës së Paraburgimit në Prizren.
Pak minuta më vonë, u raportua se brenda qelisë së tij ishte gjetur i vdekur ish-aktivisti i LV-së, Astrit Dehari.
26-vjeçari po qëndronte aty nën dyshimet se ka qenë një nga gjashtë personat që mori pjesë në sulmin e gushtit të po atij viti me granatahedhës në Kuvendin e Kosovës./Nacionale