3 vjet në Hagë

5 nëntor 2020. Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me këtë datë u arrestuan e u nisën drejt Hagës. Atje do ta nisnin një betejë me drejtësinë e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Kjo me pretendimet për krime lufte, në gjykatën që u krijua me qëllimin për të hetuar gjetjet e raportit të Dick Martyt.

U deshën 2 vjet e gjysmë që procesi gjyqësor të fillonte. Kjo pavarësisht se në fillim Prokuroria e Hagës shprehej e gatshme ta fillonte gjykimin për disa muaj. Kur shënon 3-vjetori i dërgimit në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, mbeten në paraburgim.

Për 3 vjet, ish-udhëheqësve të UÇK-së nuk iu dha asnjë mundësi për mbrojtje në liri. As arresti shtëpiak, madje as në ndonjë vend të tretë, për çka disa shtete kishin shprehur garanci.

Kërkesat e Prokurorisë së Specializuar për vazhdimin e paraburgimit, aprovohen në mënyrë rutinë më parë nga gjyqtari i procedurës paraprake, e tash nga trupi gjykues.

Në pothuajse 90% të parashtrimeve të cilat janë publike në faqen zyrtare të Speciales, trupi gjykues merr vendime të njëjta. Pra, aprovon parashtrimet e Prokurorisë, e kundërshton ato të mbrojtjes. Për të gjitha këto shqetësime, Nacionale ka raportuar edhe më herët duke sjellur intervista me avokatë e ekspertë vendorë e ndërkombëtarë.

Procesi gjyqësor nisi në muajin prill të këtij viti. Prokuroria ka kërkuar 2 vjet kohë për ta paraqitur rastin e saj, pra deri në prill 2020. Ka paraqitur rreth 300 dëshmitarë. Aktualisht, dëshminë e kanë përfunduar 32 dëshmitarë.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, sidomos kohëve të fundit, Prokuroria nisi një aksion me bastisje nëpër shtëpitë e ish-këshilltarëve të presidentit Thaçi. Kjo me pretendimet për pengim të drejtësisë.

Këto 3 vjet u karakterizuan edhe me largime të rëndësishme nga Prokuroria. Fillimisht prokurori i specializuar Jack Smith, e më pas vartësi i tij Alex Whiting. Detyrën e prokurores së specializuar tash e ka marrë Kimërbli West.

Por, çfarë thanë deri më tash dëshmitarët?

Nacionale kishte përgatitur një video për dëshmitë e tyre.

Nacionale gjithashtu sot gjatë ditë sjellë intervistën ekskluzive me avokatin e Hashim Thaçit, Gregory Keohe.

Keohe në një intervistë në Hagë për disa gazetarë kosovarë, ka folur për të gjitha temat që ndërlidhen me gjyqin ‘special’.

Pse po ndodhin bastisjet e fundit? Sa do të jetë i gjatë gjykimi? Pse është optimist Keohe për lirimin e Thaçit? Cilat figura të njohura ndërkombëtare janë gati të dëshmojnë pro-Thaçit? Pse Prokuroria e Hagës po i shfrytëzon provat nga Serbia?

Këto e përgjigje të tjera të Keohes, sot dhe nesër në Nacionale e Nacionale Videos.