Kryeministri Kurti foli dje në Kuvend për Draft-Statutin e Asociacionit që u pajtua për ta nënshkruar në Bruksel.
Kurti tha para deputetëve se nuk do të japë shumë detaje pasi ashtu është pajtuar me aleatët ndërkombëtarë.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, duke folur në lidhje me këtë çështje tha se po të ishte i mirë Statuti, Kurti do ta publikonte si trofeun e tij pa arritur ende në aeroport.
Haxhiu tha se Kurti ka pranuar Statutin e Zajednicës që krijon autonomi për serbët dhe Kishën Ortodokse serbe në Kosovë.
“Po të ishte i mirë Statuti, Kurti do ta publikonte si trofeun e tij ende pa mbrri në Aeroportin e Prishtinës. Tani kur ka pranuar ‘Statutin e Zajednicës’ që krijon autonomi për serbët dhe ‘Kishën Ortodokse serbe’ në Kosovë, sigurisht që nuk e bën publik Statutin, sepse i frikësohet gjykimit publik” deklaroi deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu për “Gazeta Blic”.
Ai tutje tha se beteja e fituar në Banjskë nga Policia u humb në tavolinë nga qeveria Kurti.
“Është për keqardhje dorëzimi i Kurtit, sepse pasojat e dorëzimit të tij, do ti vuaj Kosova. Beteja e fituar nga policia e Kosovës në Banjskë me 24.09.2023, është humbur në tavoline të bisedimeve nga Qeveria Kurti, prandaj nuk bëhet publik Statuti i Zajednicës” deklaroi Haxhiu.