Pal Lekaj ndjen “keqardhje” për Kurtin: Aman, mos shko rrugës së Rrahman Morinës

Pal Lekaj, deputet i AAK-së, ka mbajtur një fjalim në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet për Asociacionin, për të cilën temë raportoi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në fjalimin e tij, Lekaj ka theksuar se i vjen keq për pozitën “e mjerueshme” të Kurtit.

Tutje, ai ka bërë një lutje ndaj Kurtit, duke i kërkuar që të mos përfundojë në pozicionin e Rrahman Morinës, ish-udhëheqës i Kosovës pas suprimimit të autonomisë më 1989, që gjerësisht njihet si figurë e kontestuar politike.

“Keni ardhur në pushtet që si të vimë do të ketë reciprocitet. Keni ardhur në pushtet duke kundërshtuar çdo marrëveshje ndërkombëtare, edhe pavarësinë, edhe Ahtisarin. Po më vjen keq kryeministër që po ju shoh në këtë gjendje…Po më vjen keq që po ju shoh në këtë gjendje të mjerueshme. Dhe lindë pyetja “aman mos shko rrugës së Rrahman Morinës”. Ose je Albin Kurti patriot, ose je tradhtar si Rrahman Morina” – tha ai.