E dhimbshme, largohet edhe një ushtar i FSK-së: Rroga nuk më mjafton me mbajtë familjen

Foto: Ilustrim

Nacionale në disa raste ka raportuar për largimin dhe dorëheqjen e ushtarëve të FSK-së, pra demobilizimit të tyre nga ushtria. Njëjtë ka ngjarë edhe për një ushtar të FSK-së, tri ditë më parë. Më saktë, më 31 tetor, një ushtar i FSK-së ka nënshkruar kërkesën për demobilizim vullnetar.

Ajo çfarë është e dhimbshme në krejt këtë dorëheqje vullnetare nga FSK-ja, është arsyeja e dorëheqjes.

Në kërkesën e tij, të cilën e posedon Nacionale, ushtari i FSK-së ka shkruar se ai po dorëhiqet për arsye financiare.

“Kërkoj të demobilizohem për arsye financiare, rroga të cilën e marr nuk mi ka mbulu shpenzimet të cilat i kam pas obligim për me e mbajtë familjen, jom i detyrum me gjet të ardhura më shumë.” – shkruan ky ushtar në kërkesën për demobilizim.

Ndryshe, sot kryeministri Albin Kurti do të qëndrojë për vizitë në Qendrën e Kërkim Shpëtimit të FSK-së në Pomozotin, ku do të jetë i shoqëruar edhe nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari.

Por kjo nuk është dorëheqja e parë. Madje, sipas Ministria e Mbrojtjes vetëm gjatë vitit 2021 nga FSK-ja janë larguar mbi 50 pjesëtarë.

Siç kishte raportuar Nacionale vitin e kaluar, edhe Edon Morina, tetar specialist, ishte larguar nga kjo frocë. Në kërkesën e tij për demobilizim, Morina përmendte në detaje arsyet që e kanë shtyrë ta braktisë punën me uniformë.

“Unë tetar specialist, Edon Morina, bëjë kërkesë për demobilizim nga FSK, pas 12 viteve shërbim. Arsyeja e kërkesës janë padrejtësitë e vazhdueshme në të gjitha sferat ndaj pjesëtarëve, duke me përfshirë mua: si në gradim, në trajtime jashtë dhe brenda vendit, mos lejim të marrë pjesë në gara brenda FSK-së dhe jashtë deri në këtë vit.” – shkruanteMorina në kërkesën për demobilizim, të cilën ia ka drejtuar ministrisë.

Edhe ish-pjesëtari i FSK-së, Sali Arifaj, kishte pak a shumë të njëjtat arsye kur për të cilat e kishte lënë punën në FSK, pas 13 viteve shërbim.

“Gjatë këtyre 13 viteve përpos që nuk kishim një pagë të dinjitetshme e as privilegje, prapë bëra më të mirën që mund të bëhej, dhe gjatë gjithë kohës kam bërë shërbim vetëmohues, duke mos u lëkundur, përkundër padrejtësive të vazhdueshme që bëheshin ndaj meje dhe një pjesë të kolegëve tjerë, padrejtësi këto të bëra nga vet sistemi dhe eprorët tanë” – shkruante Arifaj në kërkesën e tij për demobilizim.