Minatorët e Trepçës kanë vazhduar grevën në ditën e tyre të nëntë, si shenjë proteste për vonesat që po u bëhen në ekzekutimin e pagave.
Profesori universitar, Nagip Skenderi, vlerësoi që nëse institucionet përkatëse nuk gjejnë sa më shpejtë një zgjidhje, mund të rezultojë me vdekje të dikujt.
“Duhet sa më shpejtë dhe me efikasitet të gjendet një rrugëzgjidhje dhe të mos vijnë deri te ajo që dikush mund edhe ta humbë jetën, nga pasojat të cilat greva do t’i sillte. Nëse ndodhë kjo, atëherë do të ishte tepër vonë, e në këtë kontekst, institucionet do duhej që në këtë gjigant ekonomik të investojnë përmes investimeve teknologjike, duke përmirësuar kushtet e punës dhe të përmirësojnë ambientin”, deklaroi Skenderi.
Njëherit, profesori universitar tha se do ishte i domosdoshëm pensionimi i parakohshëm për minatorët e Trepçës.
“Natyrshmëria e punës në Trepçë, konsiston në atë që këta punëtorë patjetër duhet ta kenë sigurimin shëndetësor dhe social. Po ashtu, me ligj do duhej tu takonin edhe shtesat e rrezikshmërisë, njëherit të kenë benificion social në pensionim si dhe të pensionohen para kohës”, shtoi tutje Skenderi në Tëvë1.
Sot, është dita e nëntë e minatorëve të minierës së “Trepçës” që kanë hyrë në grevë.
Kërkesat e tyre janë realizimi i pagës nga data 6 deri me datën 10 të çdo muaji, dorëheqja apo shkarkimi i u.d i kryeshefit, Enis Abdurrahmani dhe kërkesa për sigurim shëndetësor dhe përmirësimin e kushteve.