Eurodeputeti holandez: Perëndimi duhet t’ia tregojë kufirin Serbisë

Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten ka theksuar nevojën për një qartësim të kufirit të Serbisë në kontekstin e tensioneve në Ballkan, duke bërë thirrje për veprime të rrepta nga Perëndimi.

Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, ka theksuar nevojën e një qartësimi të kufirit të Serbisë dhe ka bërë thirrje për veprime të rrepta nga Perëndimi.

Reuten ka kritikuar Aleksandër Vuçiqin, presidentin e Serbisë, për mospranimin e ekzistencës së Marrëveshjes së Ohrit dhe për refuzimin e nënshkrimit të marrëveshjeve me Kosovën.

Ai gjithashtu ka theksuar se Serbia nuk mund të vazhdojë të luajë në dy fusha të ndryshme, duke u përpjekur të fitojë miliarda të përkrahjes evropiane, ndërsa mbështet veprime destabilizuese në rajon.

“Vuçiqi mohon ekzistencën e Marrëveshjes së Ohrit, nuk e do formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nga Prishtina, sepse edhe kur iu ofrua të nënshkruante marrëveshjen, ai refuzoi për të shmangur angazhimin real për normalizim. Në Beograd, ai i thotë presidentes së Komisionit, Von der Leyen, në fytyrë se është krenar që refuzon njohjen defacto të Kosovës. Dhe tani në zgjedhje bashkohet me ultranacionalistin Vojislav Sheshel për zgjedhjet lokale në Serbi”, ka thënë ai.

Në një deklaratë për “The Guardian”, eurodeputeti holandez ka komentuar vizitën e Ursula von der Leyenit, presidente e Komisionit Evropian në Beograd dhe ka thënë se është koha që Perëndimi të jetë i vendosur dhe të kërkojë ndryshime të dukshme në strategjinë e tij në Ballkan.

Ai ka theksuar se duhet të ndërmerren veprime konkrete për të përballuar sfidat aktuale.

“Ju nuk mund të ledhatoheni me Rusinë, të jeni shkaku i jostabilitetit të vazhdueshëm në disa shtete fqinje, duke lejuar dhe duke mbështetur qëllimisht veprime destabilizuese, dhe në të njëjtën kohë duke folur për rrugën e BE-së dhe duke marrë miliarda të përkrahjes evropiane. BE-ja, SHBA-ja dhe Britania e Madhe duhet të caktojnë një kufi”, ka shtuar ai.

Po ashtu, Reuten ka përmendur edhe shqetësimet në lidhje me mungesën e lirisë së mediave në Serbi dhe theksoi nevojën për një lojë të barabartë në zgjedhjet e ardhshme.

“Si kryesues i misionit monitorues të Parlamentit Evropian për zgjedhjet, kemi dalë në përfundim me kolegët tanë në zgjedhjet e fundit presidenciale në prill të vitit 2022 ‘një numër të mangësive që kanë rezultuar në një ‘fushë të pabarabartë të lojës’, duke favorizuar ata në detyrë”, ka thënë Reuten.

Ai ka shprehur shqetësimin e tij për qëllimin e shpalljes së zgjedhjeve të reja nga Vuçiqi, të cilat, ai i vlerësoi si një përpjekje për të mbajtur pozitën e tij.

Reuten ka bërë thirrje për angazhim të vazhdueshëm të BE-së dhe aleatëve të saj në rajon për të siguruar stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit./Dukagjini