Profesori britanik, James Ker-Lindsay, ka thënë se Kosova duhet ta formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, në mënyrë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian të kenë arsye për të bërë presion ndaj Serbisë që ta njohë pavarësinë e Kosovës..
Ker-Lindsay është shprehur se Perëndimi po bën përpjekje serioze që Serbia ta njohë shtetësinë e Kosovës, por sipas tij, qasja e kryeministrit të vendit, Albin Kurti, nuk po e ndihmon këtë proces.
“Nga jashtë vlerësohet se zgjidhja më e arsyeshme mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe Kosova të pranojë formën e autonomisë së komunitetit serb. Tashmë ka shumë pritje që Kosova të ndërmarrë hapa drejt krijimit të një komuniteti komunash me shumicë serbe. Kjo lëvizje e Kosovës do t’u hapte rrugë amerikanëve dhe evropianëve që të bëjnë presion mbi Beogradin ta njohë pavarësinë e Kosovës. Kosova duhet ta kuptojë rëndësinë e marrëveshjes me Serbinë, sepse ka qenë në stagnim në arenën ndërkombëtare për një kohë të gjatë. Duhet ta kuptoni, ju pëlqen apo jo, Serbia është një lojtar kyç në Ballkanin Perëndimor. Vendet perëndimore po bëjnë përpjekje serioze për ta bërë Serbinë ta njohë Kosovën, por qasja e kryeministrit Kurti i bën gjërat më të vështira dhe Perëndimi është i zhgënjyer me të, sepse ai nuk e kupton dinamikën më të gjerë të zhvillimit”, tha Ker-Lindsay për tëvë1.
Profesori britanik më tej ka thënë se sheh një zgjidhje tjetër më logjike mes Kosovës dhe Serbisë.
“Gjithmonë kam thënë se zgjidhja më e mirë mes dy vendeve do të ishte shkëmbimi i territoreve. Është shumë e qartë se një pjesë e madhe e serbëve të Kosovës duan t’i bashkohen Serbisë, ndërsa shqiptarët në lindje të Serbisë nuk do të mendojnë dy herë për t’u bashkuar. Pra, për mua kjo do të ishte zgjidhja më logjike”, tha Ker-Lindsay.
Duke folur për ngjarjet në Banjskë të 24 shtatorit, Ker-Lindsey thotë se nuk mund të pretendohet se Serbia ka marrë pjesë dhe se duhet pasur kujdes me akuzat.
“Shumë thonë se Serbia fshihet pas incidentit në Banjskë ku u sulmua Policia e Kosovës, por mendoj se duhet të kemi kujdes para se të nxjerrim këto konkluzione sepse hetimet janë ende në vazhdim. Para se të ndodhte kjo ngjarje ka pasur muaj tension në veri një pjesë e Kosovës dhe natyrisht popullata vendase ishte në një pozitë shumë të vështirë. Ende ka mbetur shumë e paqartë, por nuk besoj se Vuçiq ka qenë i kënaqur me këtë ngjarje në Banjskë, këtu mund të jenë përfshirë forca të tjera brenda Serbisë, ndoshta edhe shërbimi sekret. Nuk do të guxoj të them se Qeveria e Serbisë e miratoi atë sulm”, tha Lindsey.