Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën ka vizituar Klinikën e Onkologjisë me ç’rast ka ndarë 400 pako onkologjike për të prekurit me kancer.
Nga aty, Osmani falënderoi stafin e kësaj klinike për punën e tyre. Për derisa garantoi se përkrahja institucionale nuk do të mungojë. E para e shtetit shtoi se me investimet e bëra në këtë Klinikë janë përmirësuar dukshëm shërbimet.
“Ne jemi sot këtu për t’i dorëzuar 400 pako onkologjike në fund të muajit, i cili njihet si Muaji Rozë për të nderuar ato që fatkeqësisht për t’i nderuar ato që e kanë humbur jetën, por edhe për t’u dhënë mbështetje dhe atyre që po përballen me këtë sëmundje”.
“Dua t’i falënderoj të gjithë stafin në krye me Dr.Ilirin që po bëjnë një punë të mirë dhe fatmirësisht po bëhen investime dhe po rritet numri i barnave që mbulohet nga institucionet tona, natyrisht ka ende nevojë që të investohen edhe më tutje. Tani me investimet që janë bërë, janë eliminuar shumë pengesa si me aparatura por edhe me shtretër. Diskutuam edhe për kërkesat e tjera të cilat urgjentisht do të trajtohen nga institucionet dhe si presidente do t’i mbështesë maksimalisht”, u shpreh Osmani.
E drejtori i Klinikës Onkologjike, Ilir Kurtishi, e falënderoi Osmanin për përkrahjen e vazhdueshme, duke shtuar se si Klinikë po bëjnë punë të jashtëzakonshëm në ndihmë të të gjithë pacientëve të prekur me kancer.
“Falënderoj presidenten Osmani për këtë ndihmë edhe pse duket simbolike, ka impakt edhe në aspektin psikologjik por edhe atë fizik të pacientëve. Klinika e Onkologjisë ka shënuar progres dhe po bën një punë të jashtëzakonshme në trajtimin e pacientëve me sëmundje malinje”.
“Vetë fakti se sot është dita e fundit kur përmbyllet muaji rozë, në Kosovë është bërë shumë që të ngritet vetëdija dhe kjo ka kulmuar që ne sot të gjejmë në Kosovë femra të sëmura me kancer të gjirit në faza të hershme”./EkonomiaOnline