“Ne e dimë se çfarë mund të bëjmë, deri ku guxojmë, e dimë se çfarë nuk guxojmë të bëjmë dhe është e rëndësishme që vendi të ecë përpara”, kështu ka folur për Kosovën Aleksandar Vuçiq në televizionin-shërbëtor i regjimit aktual serb, “TV Happy”.
“Gjithmonë do të jemi nën presion për shkak të Kosovës”, ka thënë ai, duke pretenduar se “vazhdimisht po akuzohet se do ta njohë e Kosovës”, por se “njerëzit harrojnë se këto nuk janë kushtet si para vitit 2008”.
“Po të kishim duruar vetëm 8 muaj, do ta kishim marrë çmimin Nobel për qëndrueshmëri, e jo 11 vjet apo më shumë se 11 vjet”, lavdërohet presidenti serb.
Kur gazetari e pyeti çfarë ka duruar, Vuçiq u përgjigj:
“Nuk mund të them që dikush po më kërcënon personalisht, por kjo bëhet përmes të ashtuquajturave kërcënime të mbuluara, sepse ata e dinë se unë e di se çfarë kemi për të humbur. Ata e dinë se unë e di sa të rëndësishme janë për ne investimet direkte. Ata e dinë që unë e di dhe ata e luajnë këtë kartë, të njëjtën gjë do të bëja edhe unë në vend të tyre”, transmeton Paparaci.
Ajo që ai nuk mund të kuptojë është se ndonjëherë “bëhen sikur nuk shohin atë që ai e di se shohin dhe kjo është arsyeja pse ai “nuk e kupton” thelbin e gjithë kësaj”.
“Nuk e kuptoj se ata nuk e kuptojnë se sa e rëndësishme është për ne që serbët të mos persekutohen në Mal të Zi, që të mos persekutohen në Bosnje dhe Hercegovinë”.
“Ajo që është e rëndësishme për njerëzit, më lejoni të përfundoj – pa hyrë në të gjitha problemet dhe emocionet e dikujt, mendoj se ne e shpëtuam Serbinë, pavarësisht se edhe sot nuk ndiheni mirë dhe nuk duhet të ndiheni mirë, përderisa zgjatë “terrori ndaj popullit tonë” në Kosovë”, ka pretenduar Vuçiq.
Në pyetje se si do të duket kjo në të ardhmen, ai përgjigjet duke e përmendur vizitën aktuale të presidentes së Komisionit Evropian.
“Nesër do të kemi bisedime gjatë gjithë ditës dhe gjithë mbrëmjes, sepse zonja von der Leyen do ta kalojë natën në Beograd, kështu që do të kem shumë kohë, përveç atyre bisedimeve zyrtare dhe asaj që unë dhe ajo do të kumtojmë publikisht, do të kemi bisedime edhe pas kësaj kokë për koke dhe darkë së bashku, shumë kohë për të folur për të gjitha çështjet e rëndësishme”.