Të pakënaqur me kushtet e punës, rreth 200 minatorë në Trepçë janë futur në grevë që nga 24 tetori.
Duke qëndruar në ambiente të ndryshme nën tokë, por duke mos punuar, ata kërkojnë realizimin e pagës mujore me kohë, sigurimin shëndetësor dhe shkarkimin e menaxhmentit të Trepçës, të cilin e fajësojnë për, siç thonë, kushtet jo të mira.
Ndryshe, mbrëmë Sindikata ka reaguar kundër vendimit të menaxhmentit të Trepçës për suspendimin nga puna të kryetarit të sindikatës të punëtorëve, nënkryetarin e sindikatës, dy anëtarë dhe një minator.
Ata përmes një reagimi kanë thëne se minatorët nuk kanë rëndësi për askënd, dhe se shantazhet dhe kërcënimet nuk po ndalen.
“Sot si asnjëherë tjetër është vërtetuar se Trepça SH.A. dhe Minatorët nuk kanë rëndësi për askënd, qoftë President i Republikës së Kosovës, Kryeministër, Deputet, Ministër, Kryetar Komune, Shkenctar, Publicist, Analist, Sportist apo çkado tjeter”, thuhet në reagimin e sindikatës, transmeton Klankosova.tv
“Trepça dhe minatorët qenkan të një rëndësie të veçantë vetëm për konsum publik, ndërsa jeta e minatorëve, paska vlerën e një lecke që nuk vret veshin e askujt dhe se prek zemrën e asnjë qytetari të këtij vendi”.
Tutje ata kanë adresuar kritika edhe për Qeverinë, Presidencën e deputetët e Kuvendit.
“Ndoshta në një të ardhme, kur të fillojë viti zgjedhor, do të gjeni forcën, motivin dhe interesin tuaj për të na vizituar e treguar përralla, se si ju keni interesin dhe dashurinë ndaj minieres dhe minatorëve. Si ju jeni lokomotiva e shoqërisë dhe jeni meritorë”.
Kompleksi metalurgjik Trepça është shoqëri aksionare: 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë se Kosovës, 20 për qind janë të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.
Deri në vitet ’90 kur është përkeqësuar situata politike, ajo është llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.