Katër sindikata të punëtorëve teknikë do të marrin vendim më 8 nëntor për të hyrë në grevë shkaku i mos plotësimit të kërkesave për rritjen e pagave. Kështu është vendosur të hënën në mbledhjen e mbajtur nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës. Por, sipas tyre opsion është edhe lëshimi i vendeve të punëse nëse s’përmbushen kërkesat.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, tha se pas vendimit të të gjitha sindikatave, në grevë do të hyjnë punëtorët teknikë të Komunës së Prishtinës, ata të QKMF-së në Prishtinë, punëtorët teknikë të Universitetit të Prishtinës dhe ata të Qendrës së Studentëve.
Azemi tha se me datën 8 nëntor do të merret vendim ose do të caktohet data e futjes në protesta dhe greva.
“Të gjithë përfaqësuesit, janë që t’u jepet afat 10 ditë ose nuk është afat që atyre duhet t’u japim, por afat që ne të përgatitemi, dhe pas 10 ditësh të vijmë këtu dhe të marrim vendimin e protestave ose grevave. Me datën 8 nëntor do të merret vendim ose do të caktohet data e futjes në protesta dhe greva”, tha Azemi.
Ai theksoi se nëse këto institucione nuk ofrojnë pagë këto institucione 450 euro atëherë në mënyrë të përgjithshme këta punëtorë do të lëshojnë vendet e tyre të punës.
Kryetari i shoqatës sindikale të punëtorëve teknik të Universitetit të Prishtinës Arsim Gjinovci tha se ka shumë presion nga punëtorët që të mbahet greva, sepse me këto paga të ulëta në Kosovë nuk jetohet.
Ai tha se janë dy rrugë, të rriten pagat, ose të marrin rrugën e migrimit të gjithë.
Përfaqësuesja e Qendrës së Mjekësisë Familjare, Kumrije Shabani tha se janë të mllefosur për pagat që i marrin , dhe kërkon të mbahen protesta pasi që sipas se me këto paga nuk jetohet.
Edhe përfaqësuesja e sektorit privat të komunës së Prishtinës Emrije Gashi gjithashtu pajtohet me kolegët e saj për protesta dhe greva./KosovaPress