Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se e dënon fuqishëm sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë. Pas takimit me të parën e shtetit, Vjosa Osmani, Von der Leyen, foli edhe për ndihmën që Bashkimi Evropian e jep për Kosovën.
Sipas saj, Kosova duhet ta pranojë Asociacionin që ka mbetur pezull dhe Serbia duhet ta njoh Kosovën.
“Fuqishëm fajësojmë dhe dënojmë sulmet e 24 shtatorit dhe shprehim ngushëllimet për humbjen e jetës së zyrtarit policor”, tha fillimisht ajo.
“Porosia ime është se Kosova ka bërë një progres në fuqizimin e demokracisë. Më kujtohet vitin e kaluar kur bëmë thirrje për liberalizim të vizave dhe ia dolëm se nga 1 janari do të lëvizni lirshëm. Porosia e dytë është se duhet t’i përafrojmë edhe çështjet ekonomike”.
“Kemi kaluar në shumë kriza si ajo me energji elektrike dhe kemi ndarë 70 milionë euro. Ekonomitë duhet t’i përafrojmë, dhe nëse i shihmi shifrat, ekonomia kosovare ka shumë punë për të bërë dhe duhet ta rrisim këtë çështje”.
“Të gjithë e dimë që këto gjëra bëhen nëse Kosova dhe Serbia angazhohen. Kosova duhet ta pranojë Asociacionin që ka mbetur pezull dhe Serbia duhet ta njoh Kosovën”.