Sërish dokumente nga shërbimet sekrete në Speciale, sërish zbulohen nga mbrojtja e Kadri Veselit në Hagë.
Në gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Prokuroria e Specializuar po vazhdon të shërbehet me prova materiale të ardhura nga Serbia, më konkretisht nga Shërbimi Sekret i Beogradit, shkruan lajmi.net.
Gjatë seancës së sotme, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson vuri në dukje se një nga dokumentet që i është prezantuar një dëshmitari, është dokument i dhënë nga autoritetet serbe.
Ai thotë se kjo provë si e tillë është e kundërshtuar nga mbrojtja dhe duhet të identifikohet për vërtetësinë e saj.
“Pra, ndër provat materiale shoqëruese, që lidhen me shënim përgatitor është një dokumet që i është treguar dëshmitarit gjatë seancës përgatitore, që është një dokument qartazi i dhënë nga autoritetet serbe ndonëse ju keni dhe origjinalin edhe përkthimin në anglisht. Por, është pjesë e së njëjtës kategori me dokumentet që kemi kundërshtuar sa i takon të dhënave që janë futur nga shërbimi sekret serb përpara se të jepej dëshmia në TPNJ, në Ish-Tribunalin e Hagës. Dhe sikurse e dini, një nga këto dokumente është shënuar për identifikim sepse duhet diskutuar ende mes palëve dhe duhet të dalim me parashtrimet konkrete. Sa i takon dokumentit tjetër, është një dokument që është pranuar, por megjithatë është edhe ky dokument që është objekt debati gjyqësor dhe ne kemi kërkuar që Trupi Gjykues që ta riklasifikojë sepse edhe ky është i shënuar për identifikim”, tha Emmerson.
Emmerson thotë se prejardhja e dokumentit në fjalë vërehet qysh në fillet e tij.
Për më tepër, në të njëjtin material ka edhe shënime.
“E njëjta gjë vlen edhe për këtë dokument që iu tregua këtij dëshmitari. Është fjala për dokumentin U001 – 8967 deri në U001 – 9121 – ET rishikuar një. Tani ky është një manual që qartazi është dhënë nga shërbimi sekret serb sepse e kuptoj që nga gjuha në ballinë. Është dokument origjinal, por në një faqe nga fundi ka një shtesë, ose mund të themi që janë hedhur disa shënime”, tha ai.