Zyrtari i lartë për Informim i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Michael Doyle, ka thënë se gjykimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në liri nuk është i mundur në këtë periudhë.
“Ky është një vendim që një penal përkatës duhet ta marrë, sepse ky panel duhet që t’i kontrollojë çdo dy muaj ata që janë duke u gjykuar dhe ky panel pastaj ta vendos nëse ata duhet liruar apo duhet që ende të vazhdojnë qëndrimin në paraburgim. Kur ata e bëjnë këtë do të shikojnë po ashtu a ka ndonjë rrezik që ata mund të mos kthehen”, tha ai për Ekonomia Online.
Doyle është shprehur i bindur që deri në prill të vitit 2025 në gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së pritet që të dëgjohen të gjithë dëshmitarët e konfirmuar deri më tani.
“Deri në prill 2025, ata do të përfundonin thirrjen e të gjithë dëshmitarëve të tyre, të cilët do të pyeteshin nga të mbrojturit, pas kësaj është pak e vështirë të vlerësohet se çfarë ndodh më pas”, shtoi ai.
Kur foli për mbajtjen e shumicë së seancave të mbyllura, ai theksoi se kjo po bëhet me qëllim “që të mbrohen dëshmitarët ose viktimat” në këto raste.
“Procedimet janë publike, megjithatë gjyqtarët do të vendosin të mbyllin seancat ose të bëjnë sesione private sipas rastit dhe kjo zakonisht ka të bëjë me mbrojtjen e dëshmitarëve ose viktimave në këtë rast”, shtoi ai.
I pyetur për arkivat e Speciales, ai ritheksoi se Ligji i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, parasheh që menaxhimin e bëjnë Dhomat e Specializuara edhe pas mbylljes.
“Dhe dispozitat e ligjit thonë se depoja jonë e sigurt e arkivave do të mbahet jashtë Kosovës për arkivin dhe arsyeja për këtë është që dëshmitarët viktima dhe personat e tjerë të mund të vazhdojnë të mbrohen edhe pas mbylljes së Gjykatës”.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, nisi më 3 prill të këtij viti, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës. Dhomat e Specializuara kanë shpalosur aktakuzën kundër katër ish-drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së e që nga Zyra e Prokurorit të Specializuar është barazvlerësuar me një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.