Ka shumë raste kur gratë kosovare nuk ‘shpëtojnë’ nga problemet edhe pse zgjedhin që të shkurorëzohen e të ndajnë rrugët me bashkëshortët e tyre, të cilët u shkaktojnë telashe. Edhe pas ndarjes, shumë nga ta nuk i lënë rehat ish-partneret e tyre.
Me një situatë të tillë është përballur një 19-vjeçare në fshatin Molliq të Gjakovës, e cila ka pranuar mesazhe me përmbajtje kërcënuese në rrjetin social Instagram nga ish-bashkëshorti i saj.
Burimet e Sinjalit njoftojnë se viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi është shqetësuar nga fjalët e të dyshuarit, i cili e ka kërcënuar se do ta paguajë me jetë.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë marrë të gjitha veprimet hetimore për të kapur të dyshuarin, i cili është arratisur dhe nuk dihet se ku ndodhet.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Dhunë në familje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.