Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur një seancë të veçantë ku në rend të ditës është miratimi i Deklaratës në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian, e datës 19 tetor 2023, mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, i ka thënë kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcës, se rrezikon të humbasë vendin e punës si deputet në rast se shpallet fajtor për hedhje të gazit lotsjellës.
“Edhe ti kryetar i kuvendit rrezikon me hup pozitën nëse dënohesh, nuk po e mbaj mend që ke gjuajt gaz lotsjellës”, është shprehur Gashi i LDK-së.
Ndër të tjera, ai tha se kryeministri ka pranuar statutin për Asociacionin, për të cilin e ka kritikuar “si lëvizje politike” të Kurtit, duke thënë se nuk mund ta kritikojë për përmbajtje meqë nuk dihet se çka përmban ai.
“Me atë çka pamë dje, Kurti ka pranuar një draft të statutit të Asociacionit, të paktën kështu tha publikisht. S’po e gjykoj nëse është i mirë apo i keq, se nuk e di. Nuk e kam parë. Por, si ndodhi që diçka e papranueshme që janë humbur 10 vjet për të, tash të pranohet. Çka ndodhi me Asociacionin kundër të cilit u vranë njerëz në këtë vend?”.
Gashi tha se Kosova është nën sanksione, ndërsa Kurti s’raporton në Kuvend.
“Kurti duhet të vijë dhe të raportojë në Kuvend. Para dhe pas bisedimeve. Sa takime janë mbajtur deri sot asnjë raportim”, u shpreh ai.