Të shtëna me armë zjarri: 40-vjeçari plagos aksidentalisht veten dhe vëllain, dërgohen në spital

Posedimi dhe përdorimi i armëve të zjarrit është shndërruar në dukuri negative në vendin tonë, pasi vazhdimisht hasen persona të cilët mbajnë me vete armë ilegale. Për pasojë, shumë shpesh ndodh që të ketë pasoja në njerëz, duke shtënë në drejtim të personave tjerë, apo duke plagosur veten aksidentalisht.

Një ngjarje e tillë ka ndodhur sot në fshatin Skifteraj në Viti, ku një person dyshohet se aksidentalisht ka plagosur veten dhe vëllain e tij.

Burimet e Sinjalit brenda Spitalit në Gjilan kanë bërë me dije se 40-vjeçari i dyshuar dhe vëllai i tij janë dërguar në këtë qendër me plagë të shkaktuara nga arma dhe të njëjtit kanë marrë tretman mjekësor.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja shëndetësore e tyre është stabilizuar dhe të njëjtit ndodhen jashtë rrezikut për jetë.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë intervistuar 40-vjeçarin në cilësinë e të dyshuarit.

Me urdhër të prokurorit, i njëjti është dërguar në mbajtje dhe rasti është cilësuar ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’ dhe ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.