Bashkimi Evropian duhet të bëjë më shumë presion mbi Serbinë për të ofruar bashkëpunim për sulmin terroristë në Banjskë. Kështu thotë në një intervistë për Radio Kosovën eurodeputeti holandez, Thijs Reuten.
Ai thotë se Serbia është e interesuar të mbajë të bllokuar negociatat me Kosovën, derisa Kosova është zotuar se do të angazhohet në zbatimin e marrëveshjes, përfshirë edhe themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në Bruksel pritet të ketë takime të kryeministri Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, me liderë të vendeve evropiane. BE-ja duket se ka bërë një propozim të ri për një model për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. A pritet të ketë ndonjë arritje nga ky takim.
Thijs Reuten: Para së gjithash, nuk e di se cila është përmbajtja e propozimit. Unë nuk jam i njohur me propozimin vetë. Unë e di se ai ndoshta do të përfshijë krijimin e Asociacionit të komunave, e cila duhet të bëhet dhe Kosova gjithashtu është dakord për këtë. Megjithatë, situata është më e komplikuar, sigurisht, me ngjarjet në fund të shtatorit në Banjskë, të cilat ende nuk janë trajtuar siç duhet as nga Bashkimi Evropian, për mendimin tim, e as nga qeveria serbe. Kështu që unë e kuptoj se është e vështirë për qeverinë që të shkojë në këtë mbledhje. Megjithatë, mendoj se është mirë të ulemi rreth tryezës, mendoj se është mirë që në një farë mënyre të përpiqemi që procesi i normalizimit të fillojë përsëri.
Ka vite që Kosova dhe Serbia janë duke zhvilluar dialog, i cili me ndërmjetësimin e BE-së, nuk ka prodhuar rezultate. A duhet të ndërrojë tashmë formati i dialogut, ndonëse një gjë e tillë është kundërshtuar nga Gjermania?
Thijs Reuten: Siç e dini, mendoj se kam qenë shumë kritik gjatë gjithë procesit, veçanërisht edhe për rolin e Bashkimit Evropian. Mendoj se Bashkimi Evropian, në veçanti në muajin e fundit, ka qenë shumë i butë me qeverinë serbe dhe ka qenë tepër i ashpër me Qeverinë e Kosovës. Kjo është edhe arsyeja pse Parlamenti Evropian, pjesërisht për shkak të insistimit tonë brenda Parlamentit Evropian, i ka kërkuar Bashkimit Evropian të jetë më i balancuar dhe t’i largojë masat kundër Kosovës si dhe të jemi më të qartë se çfarë presim nga qeveria serbe. Sepse problemi për mendimin tim, nuk është se ne nuk mund të gjejmë një zgjidhje, sepse të gjithë elementët për një zgjidhje janë në tryezë se ne kemi marrëveshjen e ofruar, ajo që mungon është ekzekutimi i këtyre marrëveshjeve. Ajo që mungon është t’i thuash edhe qeverisë serbe, se duhet të bëjë një zgjedhje, duhet të bësh një zgjedhje nëse dëshiron të përparosh edhe në rrugën tënde evropiane, sepse ata thonë se duan të jenë pjesë e familjes evropiane dhe ata thonë se duan të jenë pjesë e BE-së, por ajo që shihet në praktikë është se Serbia ka një interes të madh për ta bllokuar procesin. Sa herë që jemi afër ndonjë përparimi, Serbia tërhiqet. Ose nuk nënshkruajnë ose nuk angazhohen, ose bëjnë diçka tjetër për të destabilizuar sërish situatën. Dhe kjo është problematike. Dhe kjo është ajo që unë mendoj se Bashkimi Evropian duhet të jetë më i prerë për të thënë, shikoni, ne shohim se çfarë po bëni, ne shohim se, për shembull, me atë që ndodh. Pra, pyetja këtu është: a po negociojnë të dyja palët me mirëbesim? Kjo është pyetja. Mendoj se nga ana e Qeverisë së Kosovës nuk mungon angazhimi. Kosova është zotuar se do të angazhohet në zbatimin e marrëveshjes, përfshirë edhe asociacionin, por edhe elementet e tjera. Mendoj se Serbia duhet të tregojë se a dëshiron gjithashtu të përmbushë të gjithë elementët në mirëbesim dhe jo vetëm të mbajë procesin të bllokuar dhe të mos shkojë përpara. Gjëja tjetër që mendoj se duhet të ndodhë është se si Kosova, ashtu edhe qeveria serbe duhet të rivlerësojnë edhe marrëdhëniet e tyre me Bashkimin Evropian dhe të përqendrohen ndoshta më pak te njëri-tjetri dhe më shumë te pjesa evropiane. Dhe kjo kërkon gjithashtu një qëndrim të Bashkimit Evropian, për shembull, në kërkesën e anëtarësimit, natyrisht, për shkak se unë mendoj se kjo gjithashtu është duke u vonuar shumë gjatë. Gjithashtu Kosova ka paraqitur një kërkesë për anëtarësim. Dhe unë mendoj se, përveç dialogut, përveç normalizimit me Serbinë, Kosova gjithashtu ka nevojë, sepse e meriton, një përgjigje nga Bashkimi Evropian.
Me 24 shtator në Kosovë ka ndodhur një sulm terroristë në veri të Kosovës, prapa të cilit besohet se qëndron Serbia. Fakti që Serbia nuk e ka dënuar këtë akt, pse ka hezitim nga ana e BE-së, për të vendosur sanksione ndaj Serbisë?
Thijs Reuten: Jam në dijeni të të gjitha fakteve që janë paraqitur edhe nga Qeveria e Kosovës, por ajo duhet të hetohet në mënyrë të pavarur gjithashtu. Kjo është gjithashtu një kritikë që Parlamenti Evropian ia ka bërë Komisionit Evropian dhe negociatorëve, sepse ka shumë informacion në dispozicion për atë që ka ndodh në Banjskë. Prandaj edhe nëse nuk i dini të gjitha, disa gjëra janë shumë të qarta, ka pasur përfshirje të drejtpërdrejtë të njërit prej miqve më të ngushtë të presidentit serb. Ne e dimë që ai është arrestuar, por pastaj, menjëherë është liruar përsëri. Domethënë, për mendimin tim, Serbia nuk ka kontribuar në besueshmëri, sepse ne kemi nevojë që autorët e këtij sulmi të ndiqen penalisht. Unë mendoj se Serbia duhet të rivendosë besueshmërinë në këtë aspekt. Kjo nuk po ndodh. Dhe ke të drejtë, Bashkimi Evropian duhet të bëjë më shumë presion ndaj Serbisë për të bashkëpunuar, sepse, po, kemi shumë fakte të paraqitura nga Qeveria e Kosovës, dhe nga institucionet ligjzbatuese të Kosovës, por ne gjithashtu kemi nevojë për një vlerësim ndërkombëtar të pavarësisë së këtyre fakteve, në mënyrë që t’i bëjmë presion edhe Serbisë për të bashkëpunuar. Ne nuk jemi kundër Serbisë, apo popullit serb, por është në interes të popullit serb dhe qeverisë serbe që të dalin të qartë me këtë. Sepse nëse nuk e zgjidhim këtë, dhe nëse nuk i ndjekim penalisht autorët e këtij sulmi, atëherë kjo do të qëndrojë gjithmonë mbi Serbinë dhe ky proces duhet të ketë një epilog sepse është edhe në interes të Serbisë, për mendimin tim.
Meqë në BE, nuk ka unanimitet për sa i përket, po i referohem kundërshtimit të Hungarisë për të vendosur sanksione ndaj Serbisë, dhe BE-ja dëshiron ta mbajë Serbinë afër vetës, duke e larguar nga Rusia dhe Kina, a po e shfrytëzon Serbia këtë?
Thijs Reuten: Mendoj se në të kaluarën kam qenë mjaft i qartë. Se nëse kjo është strategjia, atëherë për mendimin tim kjo është strategji e gabuar, sepse nuk besoj që autokratët kanë qëllime paqësore në përgjithësi. Por nëse kjo do të ishte strategjia, atëherë dua t’i shoh rezultatet, sepse tani për tani nuk shoh ndonjë rezultat. Ajo që shoh është vetëm vazhdimi i kontratave ndërmjet qeverisë serbe dhe qeverisë ruse, shoh takime me ambasadorin rus mjaft shpesh në Beograd. Nuk shoh përputhje me sanksionet që ka vendosur Bashkimi Evropian. Kosova por edhe vende të tjera të rajonit kanë përkrahur sanksionet e BE-së kundrejt Rusisë, por unë nuk shoh asnjë rreshtim të Serbisë me këto sanksione. Nuk shoh asnjë shenjë të angazhimit konstruktiv kur bëhet fjalë për mbështetjen ndaj Ukrainës, por edhe për të investuar vërtet në marrëdhëniet në rajon. Dhe përveç dialogut me Kosovën, kemi edhe destabilizimin në Bosnje-Hercegovinë, i cili është i lidhur dhe mbështetet nga Beogradi. Pra, nëse strategjia është për ta afruar Serbinë në Bashkimin Evropian me të ardhmen e tyre evropiane, duket qartë se nuk po funksionon. Por përveç kësaj, nuk e besoj, sepse mendoj se qetësimi i autokratëve nuk ka dhënë kurrë rezultate të mira.
Pas sulmit në Banjskë, NATO dërgoi ushtarë shtesë në veri, duke ngritur nivelin e sigurisë në Kosovë pas një frike se situate mund të eskalojë dhe të destabilizojë rajonin.
Thijs Reuten: Po, mirë, le të mos kontribuojmë edhe ne më shumë, për të krijuar më shumë konfuzion. Për të qenë i drejtë, nuk është në interesin e Serbisë të ketë një konflikt real. Unë nuk besoj në këtë. Megjithatë, mendoj se është një sinjal i mirë që NATO e ka përforcuar KFOR-in, jo se KFOR-i duhet të bëhet më i dukshëm ose më aktiv, në veri, sepse mendoj se autoritetet e Kosovës po e trajtojnë situatën ashtu siç duhet trajtuar. NATO gjithashtu ka qenë e qartë se KFOR-i nuk do të marrë përgjegjësinë për situatën e sigurisë në veri, sepse ajo është përgjegjësi e institucioneve të Kosovës. Është një sinjal për të cilin komuniteti ndërkombëtar është i vetëdijshëm për rëndësinë e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon. Por të mos e teprojmë, dhe le të mos e bëjmë këtë edhe më keq se ç’është. Po, nuk na duhen këto provokime të dërgimit të trupave në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, se ato nuk kontribuojnë për asgjë. Por gjithashtu, ne duhet të përqendrohemi në rinisjen e dialogut për ta zgjidhur sulmin në Banjskë, për t’u siguruar që autorët e sulmit të ndiqen penalisht ose në Serbi, ose në Kosovë, dhe pastaj shikoni drejt të ardhmes dhe gjithashtu përqendrohuni në marrëdhëniet e të dy vendeve me BE-në, individualisht. Serbia duhet të bëjë një zgjedhje. Serbia duhet të bëjë zgjedhjen nëse me të vërtetë dëshiron të ndjekë të ardhmen e saj evropiane. E di që edhe udhëheqja e Kosovës do të ishte shumë e kënaqur nëse Serbia do të bënte vërtet zgjedhjen për Bashkimin Evropian, ky do të ishte një lajm i mirë për të gjithë rajonin, sepse kjo do të thoshte se Serbia do të përqendrohet në reformat e saj të brendshme dhe do të sigurohet se mund të hyjë përfundimisht në Bashkimin Evropian dhe kjo është e mirë për stabilitetin në rajon. Kështu që mendoj se kjo është rruga përpara dhe shpresoj se do të jemi në gjendje të vendosim disa hapa në këtë drejtim.
Pas këtij incidenti BE-ja nuk po e shqyrton mundësinë që të largojë sanksionet ndaj Kosovës?
Thijs Reuten: Nuk mund t’i përgjigjem kësaj se nuk jam pjesë e qeverisë të asnjë vendi anëtar, jam në Parlamentin Evropian. E di se çfarë thotë Parlamenti Evropian. E di që një shumicë e madhe në Parlamentin Evropian ka mbështetur rezolutën tonë të fundit, e cila shprehet qartë se këto masa nuk janë të drejta, sepse nuk lidhen me asnjë lloj rezultati objektiv. Dhe mendoj se Qeveria e Kosovës ka bërë shumë në të kaluarën për të investuar në këtë proces. Dhe po, ata gjithashtu e kanë pranuar se disa gjëra mund të ishin trajtuar ndryshe. Por pyetja është, çfarë duhet bërë tani? Ku e gjeni veten dhe unë shoh se ka angazhim në mirëbesim për të filluar procesin përsëri. Por ka edhe një pyetje legjitime nga Kosova në lidhje me sulmin në Banjskë. Kjo duhet të jetë ajo që duhet trajtuar. Por Parlamenti Evropian, mendoj se ka qenë mjaft i qartë lidhur me masat për Kosovën. Për mendimin tim, ato as që duhej të vendoseshin. Pastaj duhet të adresojmë situatën dhe nevojën e mundshme për masa kundër Serbisë. Siç e dini, e kam thënë shumë herë më parë, mendoj se ngjarjet që ndodhën vitin e kaluar, fillimisht përshkallëzimi i situatës në veri, pastaj kërkesa për de-përshkallëzim si dhe refuzimi i presidentit serb për ta nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit, të gjitha këto gjëra duhet të lexohen ndryshe. Pra, për mendimin tim, ishte e çuditshme që komisionari Varhelli, dy ditë pasi presidenti Vuçiq refuzoi ta nënshkruajë marrëveshjen, shkoi në Beograd dhe ia dha Serbisë një sasi të madhe parash si investime. Mendoj se kjo është forma e gabuar.
A mendoni që BE-ja po dërgon sinjale të gabuara?
Thijs Reuten: Mendoj se ky është një sinjal i gabuar. Nëse BE-ja po përpiqet të ndjekë një marrëveshje dhe njëra palë refuzon qartë të nënshkruajë ose të angazhohet në këtë marrëveshje për arsye të brendshme politike dhe pastaj një nga komisionarët evropian shkon atje dhe thotë, le të shkojmë përpara duke i dhënë një grant tjetër nga Bashkimi Evropian, mendoj se ky është sinjali i gabuar. Unë kam bërë pyetje në lidhje me këtë, unë e kam trajtuar çështjen, sepse unë nuk mendoj se kjo është mënyra se si ne kemi nevojë ta trajtojmë, ne kemi nevojë ta trajtojmë Serbinë me kërkesa shumë të qarta, duke thënë, shikoni, ju duhet të bëni zgjedhje, ju duhet gjithashtu të përmirësoheni brenda Ju duhet të përmirësoni institucionet tuaja, për shembull, lirinë e medies, etj. Kështu që po, mendoj se ka shumë për të diskutuar ndërmjet Serbisë dhe BE-së përveç dialogut dhe mendoj, se dialogu është një pjesë e rëndësishme, por jo gjithçka. Kështu që unë mendoj se edhe Kosova, dhe Serbia duhet të kenë një marrëdhënie individuale me Bashkimin Evropian dhe të përpiqen gjithashtu të vendosin hapa në këtë drejtim.